Lë fëmijët të mbyllur në veturë në vapë, policia e gjobit me 300 euro nënën në Prizren
Një grua është gjobitur me 300 euro nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren, në kushte të temperaturave të larta. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 qershor, rreth orës 17:50, kur autoritetet kanë pranuar…
Lajme
Një grua është gjobitur me 300 euro nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren, në kushte të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 qershor, rreth orës 17:50, kur autoritetet kanë pranuar një informacion se disa fëmijë ndodheshin të mbyllur në një automjet dhe ishin të rraskapitur nga i nxehti, transmeton lajmi.net.
Policia ka reaguar menjëherë, duke mbërritur në vendin e ngjarjes dhe duke hapur veturën me ndihmën e një shufre metalike.
Sipas policisë, fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar si pasojë e temperaturave të larta. Në ndërkohë, në vendngjarje është paraqitur edhe nëna e tyre.
Për shkak të moskujdesit ndaj të miturve, policia i ka shqiptuar asaj një gjobë prej 300 eurosh për kundërvajtjen “Moskujdes ndaj të miturit”.
Policia e Kosovës ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë apel qytetarëve që, gjatë ditëve me temperatura të larta, të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.
“Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale”, thuhet në apelin e Policisë.