Abdixhiku para disa ditësh: Në komuna s’ka barriera për koalicione, në Vushtrri VV-ja e bën fituesin dhe duhet njëra parti të bëjë marrëveshje me ta
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zyrtarizuar sot koalicionin pas zgjedhur në komunën e Vushtrrisë. Kandidati i VV-së, Sylejman Meholli dhe ai i LDK-së, Xhafer Tahiri nënshkruan koalicionin derisa i pranishëm ishte aty edhe kreu i VV-së, Albin Kurti. E pas raportimit për këtë koalicion një reagim erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës…

Lajme
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zyrtarizuar sot koalicionin pas zgjedhur në komunën e Vushtrrisë.
Kandidati i VV-së, Sylejman Meholli dhe ai i LDK-së, Xhafer Tahiri nënshkruan koalicionin derisa i pranishëm ishte aty edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.
E pas raportimit për këtë koalicion një reagim erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku thanë se nuk kanë autorizuar dhe as nuk e autorizojnë asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
Veprimet e Xhafer Tahirit për të lidhur koalicion me VV-në, LDK ka thënë se janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse. Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thuhet në reagim.
Por ndryshe deklarohej pak ditë më parë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku madje kishte marrë shembull pikërisht Vushtrrinë, ku theksonte se nuk do të duhej që t’u përziheshin koalicioneve lokale.
“Në garën në Vushtrri ku LDK-ja do të jetë potencialisht në garë me PDK-në është VV-ja që e bën fituesin dhe duhet njëra parti duhet të bëjë marrëveshje me VV-në për Vushtrrinë. Apo ta marrim shembullin në Klinë, ku janë katër parti që janë në garë pak a shumë të barabarta.Pra të futen në garë e të përcaktojnë fituesin. Nuk i intereson atij në Suharekë çka bën koalicioni në Vushtrri. Në zgjedhje lokale duheni me e ditë që partitë nuk kanë barriera komunikimi për shkak të diskutimeve lokale që bëhen”,deklarohej Abdixhiku, transmeton lajmi.net
Ai madje thoshte se “LDK-ja ka bashkëpunuar me të gjitha partitë në zgjedhje lokale, në Shtime kemi qenë në bashkëqeverisje, në Klinë, në Gjilan LDK-ja është bërë me dy kryetarët aktual”.
Abdixhiku pati përmendur edhe faktin se VV-ja e kishte përcaktuar fituesin në zgjedhjet e kaluara në Vushtrri, gjë të cilën e potencoi sot edhe Tahiri.
“LDK-ja ka mbështet gara të tjera, në Vushtrri herën e kaluar PDK-LDK ishin në garë, VV-ja ka përcaktuar fituesin.Pra s’mund të ketë formulë të përgjithshme për zgjedhjet lokale. Pra ai që është në komunë ai në Suharekë nuk i intereson fare çka bëhet në qytetin tjetër atje.Edhe liderët politikë edhe partitë kanë konsideratë ndaj kontekstit lokal sepse s’mund t’ua imponosh dhe s’duhet t’ua imponosh. S’mundesh me thanë po e jap një komunë për atë komunën atje”,shtoi Abdixhiku.
Ndryshe pas nënshkrimit të këtij koalicioni, Albin Kurti u deklarua para qytetarëve të pranishëm.
Kurti tha se kjo marrëveshje e arritur sot është për të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë.
“Le të punojmë çdo orë që këtë marrëveshje të bashkëqeverisjes që bëmë sot ta realizojmë me bashkëqeverisje pas nëntorit me kryetarin Sylejman Meholli e me qytetarët që do të bëjnë punë të mira për qytetarët pa dallim të cilët i dojmë shumë, e na duan bashkë këtu”.deklaroi Kurti, shkruan lajmi.net.
Kurse kandidati i LDK-së në zgjedhjet e 12 tetorit, Xhafer Tahiri falënderoi VV-në që më 2017 e kishin mbështetur partinë e LDK-së në këtë qytet.
“Në emër tim në emër të kryesisë së LDK-së në Vushtrri dhe në emër të asamblistëve më lejoni t’u falënderoj për prezencën e juaj dhe them se kjo marrëveshje nuk është kundër askujt por është për qytetarët në Vushtrri. Duke qenë besimtar, unë besoj se e mira duhet të kthehet me të mirë. Më 2017 VV ka mbështetur ndryshimin në Vushtrri, sot LDK e kthen në Vushtrri këtë mbështetje në qytetin e Vushtrrisë”, tha Tahiri./Lajmi.net/