LDK: S’ka më negociata mes Bllokut, presim nga AAK lëshimin e ‘postit të kryeministrit’

Blloku LDK-AAK dhe NISMA është para një vendimi të rëndësishëm. Të pranojë ridizajnimin, apo të thyhet uniteti politik pesëmujor.

Lajme

11/11/2014 19:20

Kjo për faktin se Kryesia e LDK-së në mënyrë unanime ka marrë vendim që LDK-ja të udhëheqë këtë koalicion dhe Isa Mustafa të jetë kandidat për kryeministër, raporton KTV.

Në këtë situatë, brenda kësaj jave, partia e Ramush Haradinajt duhet të marrë vendim për këtë. I gjithë procesi i arritjes së qëllimit të bllokut, e që është formimi i qeverisë, mund të marrë fund deri të premten e kësaj jave, në rast të përgjigjes negative të AAK-së.

Vendimin e kryesisë së LDK-së e konfirmon deputeti Arben Gashi, i cili shpreson në gatishmërinë e lëshimit së këtij posti nga i pari i AAK-së. Për hyrje në koalicion me PDK-në vazhdimisht janë deklaruar kundër LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje. Por, në këtë situatë, megjithëse LDK-ja preferon formimin e institucioneve nga ana e bllokut.

Për hyrje eventuale në koalicion me PDK-në vendimin do ta marrë kryesia e LDK-së.

LDK thotë se nuk do të ketë diskutime të reja mes bllokut, porse vetëm presin finalizim, raporton KTV.