LDK-së askush s’po mund t’i bije në fije – Hoti, Sadiku e Haziri qëndrimi të ndryshme për çështjen e presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke krijuar “mjegull” tek qytetarët me qëndrimet për çështjen e presidentit. Askush nuk mund ta thotë me saktësi se cili është qëndrimi i prerë i kësaj partie, transmeton lajmi.net. Nga muaji janar e deri më sot, anëtarët e kësaj partie kanë dhënë 3 qëndrime aspak të njëjta. JANAR – S’ka…

Lajme

10/04/2026 10:07

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke krijuar “mjegull” tek qytetarët me qëndrimet për çështjen e presidentit.

Askush nuk mund ta thotë me saktësi se cili është qëndrimi i prerë i kësaj partie, transmeton lajmi.net.

Nga muaji janar e deri më sot, anëtarët e kësaj partie kanë dhënë 3 qëndrime aspak të njëjta.

JANAR – S’ka votë për Vjosa Osmanin

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti që tani është deputet i LDK-së, e kishte mohuar kategorikisht përkrahjen për Vjosa Osmanin.

Në këtë intervistë të tij të dhënë në janar, ai kishte thënë se historiku i pesë viteve të fundit nuk e lejon ta votoj atë.

“Jo. Jo sepse është historiku i pesë viteve të fundit që me ka dhënë të drejtë për atë qëndrim që kam pasë në vitin 2021. Nuk i kemi bërë shërbim të mirë vendit, por tani ajo është histori”, kishte thënë Hoti.

E ngjashëm me Hotin ishte deklaruar edhe deputetja Hykmete Bajrami dhe disa prej deputetëve të tjerë që dihet tanimë për mos-pajtueshmëri brenda LDK-së.

PRILL – Dy qëndrime tjera të ndryshme

Fillimisht, në muajin prill, deputeti i ri i kësaj partie, Ermal Sadiku ka dal me një qëndrim krejt kundër Hotit. Ai ka thënë se LDK i ka pas 15 vota për Osmanin.

“Këto 15 vota i kemi pas veç për Vjosa Osmanin, nuk është paraqit si kandidatur. Ne nuk kemi mujt me e propozu sepse s’i kemi pas 30 nënshkrime”, ka thënë Sadiku.

Por, mbrëmë deputeti tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri hapi një “derë” të re për çështjen e presidentit. Ai tha se LDK e përkrah kryetarin e partisë, Lumri Abdixhiku për president të vendit.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, është kandidati i parë që e pëkrahin për president, në rast të një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Natyrisht që po. Sipas rregullës së parë, kandidati i LDK-së është kandidati i parë që në e mbështesim dhe kjo nuk është diskutua, sepse në rastin tonë nuk është diskuar për emra për të përveçëm. Kur është diskua për emra konsensual kanë qenë përtej partive. Por e kuptuam që me PDK-në është diskutuar edhe për emra të përveçëm”, ka thënë Haziri në Tëvë1.

Kosova në udhëkryq

Politika kosovare gjendet një udhëkryq. Me 4 prill ka përfunduar mandati i ish-presidentes Vjosa Osmani dhe tash vendin e saj si ushtruese e detyrës e ka kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu.

Partia në pushtet, VV tashmë ka propozuar dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Por, asnjëri nga emrat s’ka marrë përkrahjen e partive opozitare.

Afati i Kushtetueses për zgjedhjen e presidentit është duke ecur, kurse marrëveshja mes partive nuk duket në horizont. Në rast se nuk ka marrëveshje, atëherë vendi do të shkoj në zgjedhje të parakohshme./Lajmi.net/