LDK po i gëzohet thatësisë

Debati për ujin ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe LDK'së nuk ka të sosur. Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes akuzon qeverisjen e kaluar nga LDK se nuk ka bërë ndonjë veprim serioz për të gjetur zgjidhje për furnizim me ujë.

Lajme

04/02/2014 17:09

Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të LDK’së e cila i kërkonte Kryetarit Shpend Ahmeti që t’i kërkonte falje votuesve të Prishtinës për, siç i quante, manipulimet me premtime për ujë gjatë fushatës zgjedhore.

Në këtë reagim, Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, akuzon qeverisjen e kaluar të komunës nga LDK se nuk ka bërë ndonjë veprim serioz për të gjetur zgjidhje për furnizim me ujë.

“LDK i gëzohet thatësirës dhe po i frikësohet përpjekjev​e të Komunës së Prishtinës”, thuhet në reagimin e Komunës.

Në reagim thuhet se deri më tash nga puna e bërë në secilin sektor të Komunës së Prishtinës është vërejtur se “qeverisja e kaluar ka bërë pak ose për të qenë të saktë, aspak në drejtim të planeve e punëve që do të hapnin rrugë për zgjidhje afatgjatë, cilësore dhe të harmonizuara me zhvillimet urbanistike dhe të infrastrukturës për çështjen e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të ujërave të zeza”.

Ndërtesa e Komunës së Prishtinës

 

“Një nga shembujt e shumtë që e ka vërejtur secili është pikërisht problemi që e kemi trashëguar në sheshin kryesor të Prishtinës”.

“Për informim të qytetarëve të Prishtinës mund të themi se nga projektet për ndërtime të miratuara nga qeverisja e kaluar nuk janë bërë as azhurnimet minimale se ku dhe si ka ndërhyrë në rrjetin e kanalizim – ujësjellësit”.

Sipas Komunës, projektet e ndërtimeve të reja nuk janë kontrolluar lidhur me çështjen e projektimit të brendshëm të kanalizimeve dhe furnizimit me ujë.

“Nga pikëpamja e politikave të furnizimit me ujë nga ish qeverisja nuk ka asnjë dëshmi apo veprim serioz që të ketë konsultuar komunitetin e specialistëve të fushës, studimet e tyre dhe format alternative për të dhënë zgjidhje në këtë drejtim. Nuk ka po ashtu as dëshmi të përpjekjes për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e qytetarëve të Prishtinës në raport me ndërmarrjen e ujësjellësit”.

“Përmendja vetëm e 20 milionë eurove apo e projektit të shumëpërfolur për fabrikën e ujit në Shkabaj nuk janë angazhimi i mjaftueshëm përkundrazi duke u bazuar vetëm në atë projekt, dhe duke mos e ngritur zërin qeverisja e Isa Mustafës ndihmoi duke e sjellë furnizimin me ujë në këtë gjendje”.

“Saktësojmë se programi ynë për furnizimin me ujë do të zbatohet pikë për pikë dhe se përpjekjet tona vetëm sa kanë nisur dhe nuk do të ndalen derisa kjo çështje të zgjidhet përfundimisht”.

“I bëjmë thirrje opinionit publik dhe të gjithë specialistëve të fushës që të bashkohen me përpjekjet e Komunës së Prishtinës dhe ta zgjidhim këtë çështje në përputhje me të drejtat e qytetarëve për furnizimin 24 orë ujë të pijshëm”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.