​LDK po analizon gjobën e shqiptuar nga PZAP-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës ka komentuar rreth gjobës prej 20 mijë euro të shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kandidati për deputet nga LDK-ja Besian Mustafa tha se ekipi i juristëve është duke analizuar derisa tha se ka informacion që është paraqitur kërkesa edhe në Gjykatën Supreme për shkak të nivelit të gjobës.…

Lajme

16/01/2025 12:29

Lidhja Demokratike e Kosovës ka komentuar rreth gjobës prej 20 mijë euro të shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kandidati për deputet nga LDK-ja Besian Mustafa tha se ekipi i juristëve është duke analizuar derisa tha se ka informacion që është paraqitur kërkesa edhe në Gjykatën Supreme për shkak të nivelit të gjobës.

“Ekipi jonë i juristëve është duke analizuar, me aq sa kam informacion ka paraqitur dhe kërkesë në Gjykatën Supreme, për shkak të nivelit të gjobës. Sapo të marrim përgjigje përfundimtare do ju njoftojmë”, deklaroi ai.

Vendimi vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje-parti në pushtet, është ankuar në PZAP se Xhenet Syka, kandidate e LDK-së për deputete, ka publikuar një video në rrjete sociale ku e krahason kryeministrin Albin Kurti me nazistin Adolf Hitler.

Në konferencën e të enjtes, Mustafa kritikoi kryeministrin Kurti për thumbimet që ai po bën ndaj LDK-së. Sipas Mustafës, kryeministri po i përbuz qytetarët.

“Partia në pushtet VV ka dështuar dhe ka dëshpëruar të gjithë Kosovën, pa vizion, pa plane, pa të ardhme. Ata bëjnë shaka me qytetarët e Kosovës në vend që të japin përgjigje e zgjidhje. Ata nuk i përgjigjen asnjë pyetjeje. Ata nuk japin asnjë vizion. Ata bëjnë vetëm shaka pa kripë në kurriz të qytetarëve të këtij vendi, e qytetarët e Kosovës meritojnë një udhëheqës që ka klan për të ardhmen e saj… Pushteti po i përbuz qytetarët, pushteti nuk ndjen se qytetarët meritojnë përgjigje, përveç shakave, që ua ofendon inteligjencën”, tha ai.

Derisa me gjobë është dënuar dhe kryeministri Kurti nga PZAP, për gjuhën e përdorur në tubimin e qytetit të Pejës më datë 13 janar. Ky i fundit u gjobit në vlerë 3 mijë euro. PZAP për dy subjektet politike jep afat prej 15 ditësh për të paguar gjobat.