LDK përkujton 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut: Akti që hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përkujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe aktin që vendosi themelet juridike e politike të shtetësisë së vendit. Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, LDK theksoi…

Lajme

02/07/2026 10:25

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përkujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe aktin që vendosi themelet juridike e politike të shtetësisë së vendit.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, LDK theksoi se Deklarata u miratua në rrethana jashtëzakonisht të vështira, kur Kosova ndodhej nën rrethim ushtarak dhe presion të madh politik nga regjimi serb.

“Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së asaj kohe, duke shprehur qartë vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në reagim.

LDK vlerësoi se lëvizja gjithëpopullore e udhëhequr nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte vendimtare në unifikimin e qytetarëve rreth kauzës së lirisë, ndërtimin e bazave institucionale të shtetit dhe sigurimin e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar.

“Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë”, thuhet më tej.

Në 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, LDK shprehu mirënjohje për 114 delegatët që, sipas saj, artikuluan vullnetin politik të qytetarëve për liri, demokraci dhe pavarësi.

Partia theksoi se Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i shtetësisë së Kosovës dhe një dëshmi e orientimit strategjik të vendit drejt integrimit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe ruajtjes së partneritetit të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Lajmi.net/