LDK nuk do të qëndrojë në seancë

Ismet Beqiri, thotë se më mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të shkelen ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës gjatë miratimit të ligjit të buxhetit dhe shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

Lajme

20/12/2013 08:50

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur për mos e votuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2014, në rast se nuk largohet Amandamenti për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, ka thënë për “Epoka e re” se më mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të shkelen ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës gjatë miratimit të ligjit të buxhetit dhe shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

“Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme këto zgjedhje i shkaktojnë Qeveria dhe partitë e koalicionit”.

“Për ne më mirë është, nëse vjen puna, të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme sesa të bëhet shkelje e Kushtetutës dhe e ligjeve në fuqi”.

“LDK’ja nuk mund të bëhet pjesë e shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve në emër të asaj që mos të rrezikohet vendi që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Beqiri ka thënë se LDK nuk do të qëndrojë në seancë në rast se Projektligji i Buxhetit do të shkojë në Kuvend me amendamentin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK’së.

“Në rast se vjen Projektligji i buxhetit me amendamentin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK’së, grupi parlamentar i LDK’së nuk do të qëndrojë në seancë”.

“Po ashtu, nëse miratohet buxheti me atë amendament do t’i përdorimi të gjitha mjetet juridike, madje do ta dërgojmë këtë çështje edhe në Gjykatën Kushtetuese”.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, ai ka thënë se shteti i Kosovës nuk është duke përfituar asgjë.

“Me dialogun e deritanishëm që është zhvilluar, Serbia është ajo që ka fituar e, fatkeqësisht, Kosova nuk ka përfituar asgjë”.

“ Prandaj mendoj se Kosovës nuk i është kthyer në masën e duhur ky koperativitet i saj karshi kërkesave gjatë këtij dialogu”.

Beqiri ka ritheksuar se LDK është kundër vazhdimit të rezervimit të ulëseve për minoritetet në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se me rezervimin e këtyre ulëseve shteti i Kosovës do të dëmtohet.