LDK nis përgatitjet për zgjedhjet lokale – Abdixhiku: 12 tetori është dita jonë!

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot në Istog një punëtori përgatitore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me pjesëmarrjen e kandidatëve për kryetarë komunash, kryetarëve të degëve, deputetëve dhe drejtuesve qendrorë të partisë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia po hyn në garë e bashkuar, e përgatitur dhe me vizion të qartë…

Lajme

09/08/2025 18:04

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot në Istog një punëtori përgatitore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me pjesëmarrjen e kandidatëve për kryetarë komunash, kryetarëve të degëve, deputetëve dhe drejtuesve qendrorë të partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia po hyn në garë e bashkuar, e përgatitur dhe me vizion të qartë për çdo komunë, transmeton lajmi.net

Në këtë takim u diskutua strategjia elektorale, organizimi në terren dhe programi i LDK-së për qytetarët në të gjitha komunat.

“Fushata jonë nuk është për ne – është për ju,” tha Abdixhiku, duke theksuar se fokusi do të jetë në zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve: arsim më të mirë, punësim për të rinjtë, investime në shëndetësi dhe infrastrukturë.

Ai e cilësoi 12 tetorin si një moment vendimtar për të zgjedhur “zhvillimin mbi propagandën dhe shpresën mbi zhgënjimin”.

Postimi i plotë: 

Sot në Istog, me kandidatët tanë për kryetarë komunash, kryetarët e degëve, Kryesinë Qendrore, Deputetët e Kuvendit dhe ekipin qendror të LDK-së, zhvilluam punëtorinë përgatitore për zgjedhjet e 12 tetorit.
Diskutuam organizimin, strategjinë dhe mesazhin tonë për qytetarët; mbi të gjitha, programin tonë për nevojat e secilit qytet anembanë vendit. Analizuam gjendjen në çdo komunë dhe vendosëm planin e veprimit për muajt që na ndajnë nga fitorja.
12 tetori nuk është thjesht një datë zgjedhjesh; është një moment i madh për të vendosur se çfarë duam për komunat tona në katër vitet e ardhshme. Nga Istogu te Gjilani, nga Peja te Prishtina, çdo qytet ka historinë, sfidat dhe mundësitë e veta. Sot, diskutuam për secilën prej tyre, duke hartuar plane konkrete që prekin jetën e njerëzve tanë – nga ndërtimi i infrastrukturës, investimet në shkolla e spitale, gjelbërimi i hapësirave publike, deri te mbështetja për bizneset dhe punësimi i të rinjve.
Fushata jonë nuk është për ne – është për ju.
Fushata jonë, sikurse qëllimi ynë, është përtej nesh!
Është për prindërit që duan një arsim më të mirë për fëmijët e tyre. Për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu, jo ta kërkojnë jashtë vendit. Për bizneset që duan mundësi e jo pengesa. Për çdo qytetar që meriton shërbim të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm.
Në çdo komunë, ne do të shkojmë derë më derë, lagje më lagje, për të dëgjuar dhe për t’ju prezantuar vizionin tonë. Sepse besojmë se qeverisja e mirë nuk vjen nga lart – ajo fillon nga qytetet tona dhe nga qytetarët që kërkojnë më shumë për vendin e tyre.
Më 12 tetor, është koha që bashkë të zgjedhim zhvillimin mbi propagandën, punën mbi fjalët boshe dhe shpresën mbi zhgënjimin.
LDK hyn në këtë garë e bashkuar, e përgatitur dhe me vizion të qartë për zhvillimin e çdo qyteti dhe të gjithë Kosovës.
12 tetori është dita jonë.
Bashkë, le të fitojmë!/lajmi.net/