LDK nis e para

LDK hapi e para zyrtarisht fushatën zgjedhore, me moton ‘Sot komuna, nesër Kosova”. Isa Mustafa deklaroi se ka bindjen e thellë për fitoren e LDK’së në këto dhe në zgjedhjet nacionale.

Lajme

03/10/2013 00:12

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën elektorale, në minutat e parë të fillimit të saj, me një konferencë të mbajtur nga lideri i kësaj partie Isa Mustafa.

Në qendren e re mediale të kësaj partie, larg selisë së vjetër, Isa Mustafa deklaroi së është tepër i nderuar dhe i privilegjuar që, në emër të LDK’së, të hapë fushatën parazgjedhore.

Ai deklaroi se LDK  hyn në këtë fushatë më bashkuar dhe më e fortë se kurrë, me besimin e plotë për fitoren e madhe.

“Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në këtë fushatë pas punës së madhe gjatë procesit të reformave, me një LDK të profilizuar, plot të rinj e të reja, që së bashku janë garanci e fitores së LDK’së”.

“Ne e hapim fushatën me moton ‘Sot komuna, nesër Kosova’, e cila shpreh bindjen e thellë për fitoren e LDK’së në këto dhe në zgjedhjet nacionale. Ne duhet të fitojmë në komunat e Kosovës, për të hedhur hapin e parë drejt fitores së demokracisë në vend, e cila do të shënohet me fitoren në zgjedhjet e nacionale”.

“Ne duhet të fitojmë në komuna së pari, për të nisur rrugën për t’ia kthyer dinjitetit qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të fitojmë më 3 nëntor, për të hapur rrugë për ta luftuar korrupsionin që po shkatërron institucionet dhe krimin që po rrezikon shtetin tonë, vendin e prindërve tanë, vendin tonë dhe të fëmijëve tanë”.

“Ne duhet të fitojmë sot, për ta fituar të ardhmen”.

“Ju ftoj që të bashkoheni me LDK’në, që ta votoni LDK’në, që të bëheni pjesë e fitores së madhe të demokracisë në Kosovë. LDK do të jetë fituese e zgjedhjeve në shumicën e komunave në Kosovë.”

Isa Mustafa tha se LDK’ja është partia që përfaqëson të gjitha shtresat në Kosovës, partia që do të mbrojë të drejtat dhe intersat e të gjitha shtresave.

“Në këtë çast solemn, ju garantoj se LDK edhe në këtë fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve do të reflektojë qytetari e korrektësi dhe do të punojë shumë që të mbrojë votën e qytetarëve, e cila shpreh vullnetin politik të tyre”.

“Ju ftoj që të punoni shumë në ditët që kemi përpara, që ditën e  zgjedhjeve të jemi së bashku, të votojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e traditës dhe të së ardhmes së Kosovës.”