LDK mirëpret aktgjykimin e Kushtetueses: Ftojmë VV-në që t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i ka obliguar deputetët e Kuvendit që jo më vonë se tridhjetë ditë nga dita e sotme, të përmbushin detyrimin e tyre kushtetues për konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij. Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës. ‘’Lidhja Demokratike e Kosovës…

Lajme
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i ka obliguar deputetët e Kuvendit që jo më vonë se tridhjetë ditë nga dita e sotme, të përmbushin detyrimin e tyre kushtetues për konstituimin e Kuvendit përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.
Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
‘’Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit, të drejtës dhe detyrimeve të grupit më të madh parlamentar, si dhe në lidhje me mënyrën e votimit në seancën konstituive’’, thuhet fillimisht në reagim.
Sipas LDK-së, ky aktgjykim ka përcaktuar qartazi se grupi më i madh parlamentar nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për një parlamentarizëm funksional, për respektim të Kushtetutës dhe për ndërtimin e institucioneve përfaqësuese që burojnë nga vullneti i qytetarëve dhe nga rregullat demokratike, thuhet më tutje në reagim.
Ata kanë ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të reflektojë
‘’Ftojmë grupin më të madh parlamentar që të veprojnë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës’’, thuhet në reagim.