LDK kundërshton dërgimin e Besnik Bislimit në Bruksel: Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të dërguar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar apo institucional. Sipas LDK-së, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë reflektuar qartë vullnetin politik të qytetarëve të…

Lajme

11/09/2025 16:01

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të dërguar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar apo institucional.

Sipas LDK-së, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë reflektuar qartë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, i cili, sipas tyre, nuk i jep mandat përfaqësues z. Bislimi në një proces kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. “Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar,” thuhet në reagimin e partisë, transmeton lajmi.net.

LDK e konsideron dialogun me Serbinë si një proces të ndjeshëm që kërkon institucione legjitime dhe përfaqësim të fuqishëm. “Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli,” thekson partia, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe e cenojnë rrugën euroatlantike të saj.

Në përmbyllje, LDK thekson se do të mbrojë me vendosmëri parimin e përfaqësimit legjitim dhe refuzon atë që e quan “improvizim partiak” nga një qeveri pa mandat. “Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim,” thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIE
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendimi i Qeverisë në detyrë për ta dërguar z. Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë është i pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional.
Zgjedhjet e 9 shkurtit dhanë një mesazh të qartë nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar. Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani.
Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike.
Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri këtë parim, duke theksuar se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat./lajmi.net/