LDK kërkon shkarkimin e bordit të ZRRE-së: Nëse s’e rekomandon komisioni, e iniciojmë vet si deputetë

Lajme

23/05/2022 12:59

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi është deklaruar për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku ka folur lidhur me mundësinë e shkarkimit të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Gashi është shprehur se ZRRE-ja ka shkelur besimin e Kuvendit të Kosovës, ka qitur në lajthitje këtë institucion dhe qytetarin e Kosovës, prandaj duhet të shkarkohet bordi, shkruan lajmi.net.

Sipas tij, ky institucion është i paaftë për t’i kryer detyrat e veta dhe prandaj kjo çështje duhet të trajtohet e pret nga Komisioni funksional që të rekomandojë shkarkimin e tij.

“U vendos që të enjtën të ketë seancë të radhës dhe të shqyrtohen disa prej çështjeve në procedurë. Ajo që desha të them ka pak a shumë të bëjë me çështjet që janë duke u diskutuar sot në Kuvend pak a shumë në komisione dhe njëra ndër to është ZRRE-ja. LDK ka deklaruar se do të shqyrtojë mundësitë e marrjes së nismave për shkarkimin e bordit të ZRRE-së për shkak të mungesës së aftësisë në menagjimin e krizës së energjisë elektrike, për shkak të shkeljes së mirëbesimit të Kuvendit të Kosovës. ZRRE-ja me procesin e përcaktimit të tarifave të reja të energjisë elektrike, ka qitë në lajthitje institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës dhe qytetarin e Kosovës, duke vendosur në diskutim një dokument dhe duke vendosur në votim një dokument tjetër. Tani kur po shkojmë drejt akoma më të thellë energjetike, shohim se ky institucion është i paaftë për të kryer detyrat e veta. Prandaj është me prioritet që kjo çështje të trajtohet në Kuvendin e Republikës dhe besoj që Komisioni përkatës funksional të marrë vendim e t’i rekomandojë Kuvendit shkarkimin e këtij instituconi.”, tha Gashi.

Gashi më tutje është shprehur se kriza me energjinë pritet të thellohet edhe më shumë.

“Kriza me energjinë elektrike është jashtëzakonisht e thellë, abuzimi me sistemin është jashtëzakonisht i thellë dhe pritet të thellohet akoma më shumë. Nuk është vetëm problemi i tarifave, është rasti i ambasadorit të Kosovës, mënyrën se si bëhet tregtimi me thëngjill, mënyrës se si bëhet tregtimi i energjisë elektrike, si është përcaktuar mënyra e pagesave për veriun.”, tha Gashi.

Në fund ai është shprehur se nëse komisioni funksional nuk e rekomandon shkarkimin e bordit të ZRRE-së, atëherë Kuvendi do të zgjedhë të tjera mënyra për ta bërë këtë. /Lajmi.net/