LDK kërkon hetim nga Prokuroria për ekspozitën së Shkëlzen Gashit: Shteti nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër lidhur me përmbajtjen e ekspozitës së Shkëlzen Gashit, duke e cilësuar atë si “skandaloze” dhe “thellësisht të papranueshme”. Sipas LDK-së, përmbajtja e ekspozita e Gashit paraqet një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave të luftës dhe familjeve të…

Lajme

28/03/2026 17:36

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër lidhur me përmbajtjen e ekspozitës së Shkëlzen Gashit, duke e cilësuar atë si “skandaloze” dhe “thellësisht të papranueshme”.

Sipas LDK-së, përmbajtja e ekspozita e Gashit paraqet një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave të luftës dhe familjeve të tyre.

Në një reagim të publikuar, LDK theksoi se lufta e Kosovës është një ngjarje historike e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht, dhe se çdo përpjekje për të relativizuar të vërtetën e saj është jo vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.

“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare,” theksohet në reagim.

Partia opozitare theksoi gjithashtu shqetësimin për faktin se një ekspozitë e tillë është financuar dhe promovuar nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë si një “dështim serioz institucional”.

“Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet,” thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK ka shprehur mbështetje të plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe ka kërkuar që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë dhe paanshmëri, duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme.

Po ashtu, Lidhja ka kërkuar përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që mundësuan financimin, mbështetjen dhe promovimin e ekspozitës, duke theksuar se kjo është një përgjegjësi ndaj historisë dhe viktimave të luftës.

Në fund, LDK ka kërkuar një kërkimfalje të qartë dhe publike nga institucionet shtetërore për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe respektit ndaj viktimave të luftës. “Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformime të së vërtetës.

Mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror,” përfundon reagimi i LDK-së.

Me këtë reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të vërtetës historike dhe të dinjitetit të viktimave të luftës, duke theksuar se e vërteta nuk mund të negociohet.

Reagimi i plotë: 

Reagim për Media
Lidhja Demokratike e Kosovës e cilëson përmbajtjen e ekspozitës së fundit mbi luftën e Kosovës si skandaloze dhe thellësisht të papranueshme. Ajo përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.
Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës.
Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe pret që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme.
Në të njëjtën kohë, kërkojmë përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e kësaj ekspozite. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës.
Po ashtu, kërkojmë një kërkimfalje të qartë dhe publike të përgjegjësve shtetërorë ndaj familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve, për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe të respektit që u takon atyre.
Tema të tilla nuk mund të trajtohen pa standarde të rrepta profesionale, pa verifikim të thelluar dhe pa kontroll institucional. Kujtesa historike nuk është hapësirë improvizimi. Ajo kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformime të së vërtetës. Mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror dhe vijë e kuqe që nuk mund të kalohet.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të këtyre parimeve, me përgjegjësi të plotë dhe me vetëdijen se e vërteta nuk negociohet./lajmi.net/