Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj mbështet caktimin e datës 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Lushaku-Sadriu tha se kjo datë është propozuar në përputhje me kornizat ligjore dhe në koordinim me kërkesat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka kërkuar më shumë kohë për përgatitjen e procesit zgjedhor.
“Si LDK kemi dhënë opinionin tonë që brenda kornizave ligjore të shpallet data 7 qershor si datë e zgjedhjeve. Kjo edhe për faktin se KQZ ka kërkuar më shumë kohë për mobilizimin e strukturave dhe organizimin sa më profesional të zgjedhjeve, dhe ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu theksoi se LDK synon të ofrojë një alternativë të re qeverisëse, duke përmendur bashkimin e së djathtës dhe një program zhvillimor për vendin.
“Ne synojmë t’i japim Kosovës një vizion tjetër, një bashkim të së djathtës me fokus në zhvillim ekonomik, forcim të aleancave ndërkombëtare dhe hapje të vendeve të reja të punës”, tha ajo.
Ajo foli edhe për zhvillimet e fundit politike, duke pretenduar se ndaj LDK-së është zhvilluar një fushatë e organizuar gjatë natës, me materiale të fabrikuara dhe dezinformata.
“Kemi qenë dëshmitarë të një fushate gjatë mesnatës ndaj LDK-së, me posterë në gjuhë serbe dhe pretendime për dorëheqje që nuk janë të vërteta”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, LDK mbetet e hapur për bashkëpunim dhe përfshirje, duke e cilësuar partinë si “shtëpi të madhe” për të gjithë ata që besojnë në vlerat e saj.
“Nuk kemi kundërshtime për persona të caktuar, qëllimi ynë është një LDK më e fortë dhe konkurruese, që mund të sjellë institucione stabile dhe ta pozicionojë Kosovën më mirë ndërkombëtarisht”, u shpreh ajo.
Në fund, ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin politika zhvillimore dhe jo, siç tha, modele që bazohen vetëm në skema sociale, por në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe mirëqenie afatgjatë. /Lajmi.net/