LDK-ja e pranon letrën e Kurtit me ftesë për koalicion- Abdixhiku pritet t’i përgjigjet më vonë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot përmes një letre dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i ka bërë ftesë për koalicion. Ai mes rreshtash ka thënë se koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së është i pashmangshëm, prandaj edhe nuk ka arsye që të ketë përsëri zgjedhje që të bëjnë këtë koalicion. Kurti i është arsyetuar…

Lajme
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot përmes një letre dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i ka bërë ftesë për koalicion.
Ai mes rreshtash ka thënë se koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së është i pashmangshëm, prandaj edhe nuk ka arsye që të ketë përsëri zgjedhje që të bëjnë këtë koalicion.
Kurti i është arsyetuar Abdixhikut për qasjen ndaj tij dhe LDK-së.
“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha se sa që LKD i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK”, tha Kurti, shkruan lajmi.net.
Kurti po ashtu i tha Abdixhikut se është i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me Vetëvendosje.
Zëdhënësi i LDK-së, njëherësh deputeti Besian Mustafa e ka konfirmuar për lajmi.net se tashmë e kanë pranuar këtë ftesë e se përgjigjen siç thotë Mustafa, do ta kthej vetë Abdixhiku.
“Po e kemi pranuar. Kryetari Abdixhiku do kthejë përgjigje me kohë”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti i ka dërguar letër dy herë Abdixhikut për tu takuar por që këto të dyja janë refuzuar menjëherë nga LDK.
Në letrën e dërguar nga Kurti për LDK-në dhe PDK-në, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi e ka pranuar dhe e ka takuar atë në Kuvendin e Kosovës, duke tentuar të gjejnë një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.
Kuvendi i Kosovës ka mbetur pa kryetar ndonëse që nga 15 prilli janë mbajtur plot 11 seanca konstituive, por deri tani kandidatja për kryekuvendare nga VV, Albulena Haxhiu nuk ka marrë më shumë se 57 vota.
Opozita nuk e ka votuar asnjëherë atë dhe kanë deklaruar se nuk do ta votojnë pasi sipas tyre “Kuvendi i Kosovës nuk e meriton një figurë përçarëse”.
Në Kuvendin e Kosovës u tentua edhe të votohej për një komision që do mundësonte një votim të fshehtë për Haxhiun- përpjekje kjo që dështoi dy herë radhazi.
Seanca e radhës konstituive do të mbahet pas 48 orësh, të mërkurën me datë 7 maj 2025 duke filluar nga ora 10:00.
Mbetet të shihet nëse brenda këtij orari- Lidhja Demokratike e Kosovës apo kreu i saj Lumir Abdixhiku do ti përgjigjen ftesës së Kurtit.
Një reagim nga LDK-ja pati nënkryetari Gazmend Muhaxheri i cili tregoi se me VV-në kanë përvojë të hidhur sikurse dikur kur Kurti i drejtohej Isa Mustafës si “profesor i nderuar”./Lajmi.net/