LDK: Flasim Vetë
LDK i kundërpërgjigjet Vetëvendosjes pas akuzave të djeshme për vizitat e Dacicit. LDK thotë se nuk është pjesë e bisedimeve të Brukselit, ndërsa fton VV’në të mos flasë në emër të partive tjera.

Lajme
Çështja e vizitave të Ivica Dacicit në Kosovë ka futur në “bela” dy partitë më të mëdha opozitare të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës u është përgjigjur akuzave të djeshme të Lëvizjes Vetëvendosje duke bërë të ditur se “nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e bisedime që po i zhvillon Qeveria e Republikës së Kosovës me Qeverinë e Serbisë”.
Lëvizja Vetëvendosje, pas lejimit të Ivica Dacicit ta vizitojë Kosovën, kishte thënë dje se “kthimi i Serbisë në Kosovë nuk ndodhi rastësisht”.
“Ai po ndodh nën patronatin dhe mbikëqyrjen rigoroze të Hashim Thaçit. Por, edhe me pranimin aktiv të AKR’së si partner koalicioni dhe të LDK’së e AAK’së, si parti kinse opozitare”, kishte thënë Vetëvendosje.
Sipas LDK’së, marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, që ka të bëjë me vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, është marrëveshje e kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës.
“LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendojse që të jetë korrekte dhe të mos përpiqet ta manipulojë opinion për efekt fushate, me pretendime se kinse partitë opozitare e kanë mbështetur këtë marrëveshje”.
“LDK e konsideron tepër të rëndësishme që subjektet politike në Kosovë ta kuptojnë se secili flet vetë në emrin e vet”.
“LDK shpreh edhe një herë vendosmërinë për një fushatë të ndershme e korrekte dhe për një proces të ndershëm zgjedhor”.
“LDK u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i përmbahen normave ligjore dhe mirësjelljes deri në fund të këtij procesi”.