LDK është parti e djathtë

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, thotë se kjo parti është anëtare e Partive Popullore Evropiane, që është grupimi më i madh politik në Evropë, me orientim të djathtë.

Lajme

21/12/2013 12:44

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj raportit të Institutit D4D, sipas të cilit LDK është parti e pa definuar.

Hoti ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se dje Instituti e nxori një raport, sipas të cilit, LDK qenka parti e pa definuar, sikurse edhe plot parti tjera, me përjashtim të VV-së, që është parti e majtë afër qendrës.

Por, kjo sipas tij, nuk qëndron.

“Ju përkujtoj atyre se LDK është anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), që është grupimi më i madh politik në Evropë, me orientim të djathtë”.

“Para se LDK të pranohet anëtare, një grup prej 12 zyrtarësh të EPP e analizuan në detaje në Prishtinë organizimin e LDK’së, statutin, programin politik, funksionimin e saj praktik, vendimmarrjen, demokracinë e brendshme të partisë etj”.

“Dhe, konstatuan unanimisht që LDK’ja është parti e djathtë, që përkrah vlerat konservative, ka filozofinë dhe besimin, përkrah politikat e tregut të hapur dhe konkurrencës së lirë etj”.

“Mendoj se D4D është dashur të konsideroi këto fakte para se të nxjerr konkludimet”.