LDK: Është e qartë se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re. LDK ka thënë se në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës. Sipas LDK-së, dalja nga bllokada institucionale s’kërkohet…
                        Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re.
LDK ka thënë se në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.
Sipas LDK-së, dalja nga bllokada institucionale s’kërkohet vetëm përmes veprimeve jo-kushtetuese, por përmes qytetarit, duke thënë se zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri.
“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, thuhet në komunikatë.
Në fund, LDK theksoi se mandati për qeverisje u takon qytetarëve.
“LDK-ja konfirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj rendit kushtetues, integritetit të procesit demokratik dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës. Ne do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale. Vendit i duhet legjitimitet i ri dhe institucione që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve e jo zvarritje, jo pazare dhe as improvizime. LDK-ja bën thirrje të veprohet me pjekuri, të shmanget retorika përçarëse dhe të kontribuohet në një proces të qetë e dinjitoz. Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.