LDK e Mitrovicës thotë se u sulmua nga militantët e PDK-së

Përkrahësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me pankarta të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e kanë penguar të mërkurën një tubim zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në fshatin Broboniq (fshati i lindjes i Kadri Veselit), thuhet në një njoftim të Degës së LDK-së të Mitrovicës. 

Lajme

05/06/2014 00:10

Pas sulmit ndaj pjesëmarrësve të tubimit zgjedhor të LDK-së në këtë fshat, është dashur intervenimi i policisë për t\’i evakuuar anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, thuhet në këtë njoftim.

Sipas këtij njoftimi, Dega e LDK-së kishte planifikuar që të mbante të mërkurën në orën 20:00 një tubim në fshatin Broboniq, por fillimisht pjesëmarrësit e tubimit janë penguar nga përkrahësit e Kadri Veselit për tu futur në objektin e shkollës dhe kjo nuk ju ka mjaftuar, dhe më pas kanë hyrë në objektin e shkollës dhe i kanë sulmuar pjesëmarrësit në tubim.

Pas këtij sulmi është njoftuar Policia e Kosovës, e cila ka intervenuar duke larguar sulmuesit.

LDK e Mitrovicës thotë se i ka identifikuar me emër dhe mbiemër sulmuesit dhe këta emra ia ka dhënë Policisë së Kosovës.