LDK e ëmbla LDK

Fatmir Sejdiu përgënjeshtron raportimet se do t’i bashkohet iniciativës politike të Fatmir Limajt. Thotë se LDK është shtëpia e tij dhe se do të vazhdojë qëndrimet kritike ndaj mënyrës se si po udhëhiqet sot kjo parti.

Lajme

20/02/2014 18:02

Ish Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përgënjeshtruar raportimet se do t’i bashkohet iniciativës së re politike të Fatmir Limajt.

Në një postim në Facebook, Kryetari i Nderit i LDK’së, Sejdiu, ka thënë se është pjesë e LDK’së që nga ditët e para të saj dhe do të vazhdojë të jetë në të.

“Para disa minutash Gazeta Express lëshon një “lajm” me titull se “Fatmir Sejdiu i bashkohet partisë së Fatmir Limajt?”

“Duke mos dashur që të jap asnjë lloj vlerësimi për subjekte tjera politike, pra as për këtë iniciativë që është paralajmëruar, qëndrimi im është i ditur: Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia ime, në vënien e themeleve të së cilës kam marrë pjesë nga dita e parë dhe kam zhvilluar dhe do të zhvilloj aktivitetin tim politik, pavarësisht vullneteve të ndokujt që të më sheh jashtë saj”.

“Natyrisht se unë kam shprehë dhe do të shpreh qëndrimet e mia kritike për zhvillimet brenda LDK-së , demokratizimin e saj dhe realizimin e projektit tim, për të cilin gjithmonë besoj se është në të mirë të LDK-së dhe të ardhmes së saj”.

“Unë në këto ide nuk jam i vetëm por kam mbështetje të fuqishme brenda anëtarësisë së gjerë të LDK-së e cila është peshorja kryesore që vlerëson dhe çmon më së miri njerëzit e saj”, ka shkruar Fatmir Sejdiu në profilin e tij në Facebook.