LDK e çon bllokadën e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të premten një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për të shqyrtuar ligjshmërinë e zhvillimeve të fundit në Kuvend, që sipas saj përbëjnë shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe parimeve të demokracisë parlamentare. Në qendër të kontestimit është formimi i një komisioni ad-hoc për votimin e…

Lajme

04/07/2025 15:01

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të premten një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për të shqyrtuar ligjshmërinë e zhvillimeve të fundit në Kuvend, që sipas saj përbëjnë shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe parimeve të demokracisë parlamentare.

Në qendër të kontestimit është formimi i një komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit – një praktikë që LDK e konsideron të papajtueshme me rregullat dhe frymën e Kushtetutës së Republikës.

Përveç LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar dje Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë të ngjashme, duke kundërshtuar formimin dhe veprimin e këtij komisioni, si dhe duke kërkuar interpretim për përputhshmërinë e këtij procesi me Kushtetutën.

Të dy partitë opozitare kanë argumentuar se përpjekjet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit në këtë mënyrë përbëjnë devijim nga standardet demokratike dhe e deformojnë funksionimin normal të institucioneve.

Kjo lëvizje vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar plot 41 herë të konstituohet si pasojë e mungesës së shumicës parlamentare, me Vetëvendosjen në qendër të kritikave për bllokadën e zgjatur.

Pavarësisht thirrjeve për zgjidhje dhe reflektim, LVV po këmbëngul të mos tërhiqet nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit – një emër që nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme as pas dhjetëra tentimeve. Kjo ka bërë që partitë opozitare ta akuzojnë Vetëvendosjen për krizë të qëllimshme dhe për keqpërdorim të institucioneve në funksion të qëndrimit të saj në pushtet.