LDK dhe AAK: Sondazhe të porositura

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), akuzuan partinë në pushtet për porositje të sondazheve. 

Lajme

20/05/2014 17:28

Me anë të një komunikate, LDK sondazhin e publikuar sot nëpër media, i cili renditë PDK-në të parën në zgjedhjet e 8 qershorit, e quajnë si tentim të partisë në pushtet për të manipuluar me opinionin.

“Sondazhi i paguar, i porositur dhe i publikuar të martën nga disa portale, tregon për gjendjen e rëndë në të cilën është katandisur partia në pushtet dhe grupi i saj profiter, në prag të humbjes plebishitare që do ta përjetojnë më 8 qershor”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Po ashtu, LDK fton elektoratin e saj dhe gjithë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve që po bëhen në prag të zgjedhjeve nacionale, sepse kjo qeveri është duke numëruar mbrapshtë edhe 18 ditët e fundit që i kanë mbetur në pushtet”.

“LDK i bën thirrje oponentit të saj politik, PDK-së, që t\’i ndërpresë përpjekjet për cenimin e procesit zgjedhor, duke e parë humbjen që po i afrohet, LDK i bën thirrje gjithë anëtarësisë së vet dhe qytetarëve që të sillen konform rregullave zgjedhore dhe i garanton ata se nuk do të tolerojë cenimin e asnjë vote të vetme”.

Edhe AAK përmes një reagimi ka shfaqur pakënaqësi për sondazhin e publikuar gjatë ditës së martë.

“Sikur edhe herëve tjera, nëpër media qarkullojnë sondazhe të porositura. Ashtu sikur edhe në të kaluarën do të dalin krejt gabim. Në fakt, krejt çka po arrijnë është të na bëjnë të qeshim, jo vetëm neve\”.

“Sondazh-bërësit dhe sondazh-porositësit do ta mësojnë sondazhin e vërtetë më datën 8 qershor, para mesnatës”.