LDK dënon sulmin ndaj deputetit Armend Zemaj: Cenim i drejtpërdrejtë ndaj integritetit të institucioneve demokratike

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në Prishtinë, gjatë një interviste publike, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, është përfshirë në një përplasje fizike me një qytetar. Në reagimin zyrtar, LDK ka dënuar ashpër atë që e ka quajtur “sulm të papranueshëm”, duke theksuar se deputeti Zemaj është…

Lajme

24/10/2025 18:37

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në Prishtinë, gjatë një interviste publike, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, është përfshirë në një përplasje fizike me një qytetar.

Në reagimin zyrtar, LDK ka dënuar ashpër atë që e ka quajtur “sulm të papranueshëm”, duke theksuar se deputeti Zemaj është provokuar dhe ofenduar verbalisht përpara se të ndodhte përplasja fizike, raporton lajmi.net

Ky është reagimi i plotë i LDK-së:

REAGIM PËR MEDIE

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, z. Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit.

Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritet të plotë me deputetin Armend Zemaj dhe fton organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.

Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë./Lajmi.net/