LDK dënon hedhjen e ujit në drejtim të Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar hedhjen e ujit në drejtim të kryeministrit të Kosovës, njëherësh kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka, si dhe veprimet e tjera të pahijshme të disa deputetëve të opozitës gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

10/03/2016 15:51

 

Në një komunikatë për media, LDK i konsideron të papranueshme këto veprime, e veçanërisht sulmet e dhunshme të orientuara kundër kryeministrit Isa Mustafa, në drejtim të të cilit sot u hodh ujë nga një deputet anonim i opozitës, ndërsa pak ditë më parë nga militantë të maskuar të saj u hodhën kokteje molotovi mbi shtëpinë e banimit të kryeministrit Mustafa dhe familjes së tij.

“LDK-ja kërkon nga organet kompetente që të marrin masat e duhura për parandalimin e akteve të tilla, ndërkaq nga deputetët e opozitës kërkon që përfundimisht të heqin dorë nga format e tilla vandale të sjelljes, me të cilat kanë neveritur opinionin vendor e ndërkombëtar. Sa i përket deputetit M.H, LDK-ja i bën me dije se nuk është kjo forma përmes të cilës ai do të dalë nga anonimiteti dhe të vijë në shprehje në një shoqëri demokratike”, thuhet në komunikatë./lajmi.net