LDK akuzon VV-në për bllokim të qëllimshëm të financave të Prishtinës: Në tri seanca gjatë këtij viti keni votuar kundër bartjes së të hyrave vetanake

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot me një komunikatë, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po zhvillon “fushatë mashtrimi” për procesin e bartjes së të hyrave vetanake në Komunën e Prishtinës. Sipas LDK-së, VV ka votuar kundër bartjes së buxhetit në tri seanca radhazi – më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025…

Lajme

27/11/2025 19:03

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot me një komunikatë, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po zhvillon “fushatë mashtrimi” për procesin e bartjes së të hyrave vetanake në Komunën e Prishtinës.

Sipas LDK-së, VV ka votuar kundër bartjes së buxhetit në tri seanca radhazi – më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025 – duke bllokuar pagesat për shërbime thelbësore dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit. Partia vlerëson se pretendimet e sotme të VV-së për “zhbllokim” janë tentativë për t’i ikur përgjegjësisë, transmeton lajmi.net.

LDK thekson se gjatë gjithë kohës ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës, ndërsa, siç thuhet në komunikatë, Vetëvendosja ka vepruar në kundërshtim me interesin qytetar për motive partiake.

Në fund, LDK deklaron se do të vazhdojë të mbrojë interesin e kryeqytetit dhe të mos lejojë që Prishtina të bëhet peng i, siç i quan, “taktikave të rrezikshme” të Vetëvendosjes.

Komunikata e plotë: 

KOMUNIKATË PËR MEDIE
Lidhja Demokratike e Kosovës denoncon prerazi fushatën e radhës së mashtrimit politik nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila sot po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë duke trilluar merita për një proces që vetë e ka bllokuar tri herë radhazi.
Dokumentet flasin qartë: më 21.05.2025, 12.06.2025 dhe 27.06.2025, bartja e të hyrave vetanake ka dështuar sepse asambleistët e Vetëvendosjes votuan kundër, duke paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit.
Tani, pas muajsh bllokadash të qëllimshme, Vetëvendosja del e pretendon se paska “zhbllokuar” vetveten. Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj dil në podium e shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike.
LDK ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës në çdo seancë, ndërsa VV ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake. Nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal që e mbështet narrativën e tyre, përkundrazi çdo dokument dëshmon bllokimin e tyre të hapur.
Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik.
LDK do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje./lajmi.net/