LDK: Adem Grabovci gënjeu haptazi

LDK ka reaguar ndaj deklaratave të Adem Grabovcit, sipas të cilit Isa Mustafa është kundër rritjes së pagave. LDK thotë se e sheh të nevojshme rritjen e pagave për të gjitha kategoritë, ndërsa qytetarët do t’i japin përgjigje PDK’së për dëmet.

Lajme

03/03/2014 19:26

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci, ka gënjyer kur gjatë ditës së hënën ka deklaruar se LDK është pozicionuar kundër rritjes së pagave të premtuara nga Qeveria e Kosovës.

Në një komunikatë për media, me të cilën ka reaguar, LDK është shprehur se PDK’në nuk do ta ndihmojë rritja e pagave në zgjedhjet parlamentare.

“Nënkryetari i gjashtë apo i shtatë i PDK-së, njëherit shef i shefave të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, sot u përpoq të mashtrojë qytetarët e Kosovës, se kinse Kryetari i LDK-së ka dalë kundër rritjes së pagave dhe se këtë ua ka thënë edhe institucioneve ndërkombëtare”.

“LDK-ja dëshiron të sqarojë se Grabovci e bëri të vetmen punë që di ta bëjë, gënjeu haptazi. Kryetari Mustafa dhe LDK-ja asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë kundër rritjes së pagave. LDK-ja vlerëson se rritja e pagave është e nevojshme për të gjitha kategoritë në Kosovë”.

“LDK-ja ka kërkuar sqarim se pse pagat nuk janë rritur vitin e shkuar, pse institucionet ndërkombëtare nuk kanë mbështetur rritjen e pagave vitin e shkuar dhe pse pagat në Kosovë rriten vetëm në vitet zgjedhore”.

“LDK-ja do të punojë që pagat e të gjitha kategorive të jenë dinjitoze, që pensionet të jenë dinjitozë dhe që skema sociale të rezultojë në ndihmë substanciale për të gjithë përfituesit”.

“LDK-ja vlerëson se rritja e pagave në vitin zgjedhor nuk do ta ndihmojë aspak PDK-në, të cilën e pret humbje e thellë në Zgjedhjet e përgjithshme, sepse qytetarët e Kosovës do t’i japin përgjigje për të gjitha dëmet e rënda që i ka shkaktuar vendit gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e LDK’së.