Lazarat: Arrestohen edhe tre persona
Policia shqiptare ka arrestuar sot në Lazarat edhe tre persona, të cilët akuzohen se kanë shtënë në drejtim të policisë, si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e për armëmbajtje pa leje.

Lajme
Të arrestuarit janë Minush Brahimi, 21 vjeç, i cili, siç raporton policia, është identifikuar të ketë qëlluar kundrejt policisë me armë, Laçe Koli, mbi të cilin rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, por edhe ajo e armëmbajtjes pa leje, si dhe Gjiri Malaj, në banesën e të cilit u gjetën sasi të konsiderueshme hashashi dhe municionesh, raporton Top Channel.
Që prej së hënës e deri mbrëmjen e së shtunës, bilanci i operacionit policor në fshatin Lazarat ka regjistruar mbi 413 banesa të kontrolluara.
Policia shqiptare ka njoftuar se deri të shtunën janë asgjësuar mbi 112 mijë fidanë të drogës kanabis sativa, si dhe sasia prej 39 tonë e 156 kg po kanabis, e gjetur jo vetëm në banesa por edhe në bodrume.
Gjatë ditëve të shkuara të aksionit policor janë arrestuar 18 persona, që janë të dyshuar për sulme me armë, kundërshtim të policisë, kultivim të kanabis sativës, mbajtje të armëve e municioneve luftarake dhe dëmtim të pronës.