Laws: Njerëzit u ndaluan dhe u vranë mbi bazë thashethemesh
Përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, ka paraqitur akuza të rënda gjatë fjalës së tij përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ndalimet dhe trajtimet në kampet e paraburgimit janë bërë mbi kritere etnike dhe supozime të pabazuara. Sipas Laws, mënyra se si përfundonin personat në këto qendra ndryshonte në varësi të…
Lajme
Përfaqësuesi i viktimave, Simon Laws, ka paraqitur akuza të rënda gjatë fjalës së tij përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ndalimet dhe trajtimet në kampet e paraburgimit janë bërë mbi kritere etnike dhe supozime të pabazuara.
Sipas Laws, mënyra se si përfundonin personat në këto qendra ndryshonte në varësi të përkatësisë etnike. Ai theksoi se shqiptarët zakonisht ndaloheshin pasi etiketoheshin si bashkëpunëtorë apo kundërshtarë, ndërsa për serbët dhe romët mjaftonte vetë përkatësia etnike, transmeton lajmi.net.
“Që një shqiptar të përfundonte në paraburgim, duhej të shpallej si bashkëpunëtor ose si armik për ndonjë arsye. Ndërsa për një serb apo rom, përkatësia etnike ishte e mjaftueshme”, deklaroi Laws.
Ai shtoi se etiketimi si bashkëpunëtor ka lënë pasoja të rënda që vazhdojnë edhe sot, pasi në shumë raste nuk është bërë asnjë përpjekje për të verifikuar vërtetësinë e këtyre akuzave.
“Njerëzve u është shkatërruar jeta nga një etiketë e vendosur pa prova. Shumë prej tyre janë rrëmbyer vetëm mbi bazën e thashethemeve”, u shpreh ai, duke e quajtur tronditëse faktin që dikush mund të humbë lirinë dhe jetën për arsye të tilla.
Në fjalën e tij, Laws foli edhe për keqtrajtimet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë ndalimit, duke theksuar se ndaj këtyre rasteve nuk ka pasur hetime reale.
“Asnjëherë nuk është verifikuar nëse një i ndaluar ishte realisht fajtor apo kishte kryer ndonjë vepër penale. Fajësia është marrë si e mirëqenë”, tha ai.
Sipas përfaqësuesit të viktimave, qëllimi kryesor gjatë ndalimeve nuk ka qenë hetimi i së vërtetës, por ushtrimi i dhunës dhe presioni për të nxjerrë rrëfime.
“Fokusi nuk ishte drejtësia, por rrahjet, keqtrajtimi dhe detyrimi për të pranuar krime”, përfundoi Laws./lajmi.net/