Lavdi për Kosovën e Re, investimin më të madh të pasluftës

18:35 | 17 Mars 2020

Shkruan: Adil Behramaj

Termocentrali “Kosova e Re” nuk po ndërtohet. Kompania amerikane “Contour Global” u tërhoq nga investimi i saj. Ajo akuzoi direkt Qeverinë Kurti, e cila kundërshtoi publikisht ndërtimin e tij. Por, në këtë ambient të kontaminuar politik dhe me Coronavirusin që na ndryshoi edhe mënyrën e të jetuarit, temat më të rëndësishme për të ardhmen e Republikës sonë nuk kanë si ta marrin vëmendjen e duhur.

Megjithatë, ky lajm u mjaftoi disa figurave tragjikomike brenda Vetëvendosjes që të marrin menjëherë yrysh. Edhe nënkryetarja e Kuvendit ra në dalldisje. Por, i pari që me krenari sikur dëshironte t’i njoftonte financuesit që misionin e përfundoi ishte Haki Abazi.

Këtë mision e kishte nisur nën petkun e QJQ-së dhe po e përfundon tash si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

Grupi i interesit të Haki Abazit plot një dekadë ishte kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, i cili supozohej të ishte edhe njëfarë centrali i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Pas Hakiut natyrisht që tani hakaten edhe financuesit e tij, sepse nënshkrimi i kontratës në dhjetorin e vitit 2017 për TC “Kosova e Re” ishte vetëm akordim për termat komerciale të projektit. Ndërsa, përmbyllja financiare e këtij projekti pritej të bëhej në maj të këtij viti, e cila, sipas të gjitha gjasave, do t’i hidhte poshtë të gjitha supozimet mbi bazën e të cilave këta e ndërtonin koston finale.

Por, pikërisht tash kur pritej që ato supozime të vërtetoheshin në treg dhe të ndodhte përmbyllja financiare. Pra, kur duhej të prokurohej edhe çmimi i ndërtimit dhe kostoja e financimit si komponentë kryesorë të kostos totale për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, qeveria e Hakiut nuk ua dha as shansin që të shihnin cili do të ishte çmimi i tregut, cila do të ishte kostoja e financimit dhe cilat do të ishin politikat e financimit të këtyre projekteve nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke e mbyllur kështu “derën e dialogut” për projektin më vital të Kosovës.

Këtë mbyllje dere e bënë me supozimin se Evropa në vitin 2050-të, sipas disa shteteve tjera të BE-së edhe deri në 2060-të, do ta braktiste tërësisht qymyrin si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike.

Pra, kjo sakrificë e jona po bëhet 30-40 vjet edhe përpara vetë BE-së, e cila është shumë fleksibile në ndërrimin e politikave.

Sa për dijeninë e qytetarëve, ky investim i huaj i drejtpërdrejtë në vlerë prej mbi 1 miliard euro është gati sa gjashtëfishi i investimeve të huaja në 5 vitet e fundit.

Por, ky satrap i deridjeshëm i shoqërisë civile ishte munduar gjithnjë ta viktimizonte Kosovën e vogël në emër të një kauze shumë globale, siç ishin ndryshimet klimatike, duke kundërshtuar kështu përdorimin e qymyrit si lëndë e parë për prodhimin e energjisë. Kosova e vogël e me probleme të mëdha energjetike, sipas Haki Abazit, duhej t’i sakrifikonte edhe resurset e veta, përkundër që në të gjitha studimet e institucioneve ndërkombëtare rezultonte se ky ishte opsioni ekonomikisht më i favorshëm për prodhimin e energjisë në Kosovë.

Edhe pse ne kemi probleme lokale dhe nacionale të shumta, pa dashur t’i relativizoj fare problemet globale, hiç më larg se shtete fqinje si Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë në proces të ndërtimit të mijëra megavateve të bazuara në qymyr. Ndërsa, sipas këtij satrapi të deridjeshëm të shoqërisë civile, Kosova nuk bën. Paramendoni tash, Kina mesatarisht çdo javë e lëshon në operim nga një termocentral bazuar në qymyr, kurse Kosovës së vogël i paska mbetur ta mbrojë botën nga ngrohja globale.

Hipokrizia e tij nuk përfundon me kaq.

Nga një ambientalist i përbetuar, që me dekada ishte kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, pasi që për bazë e kishte qymyrin, Haki Abazi pa fije morali politik u bë pjesë e një partie politike që në programin e saj e ka edhe rigjenerimin e plotë të termocentralit “Kosova A”, me instalimin e teknologjisë për djegien e qymyrit. U bë pjesë e një partie politike, ku në program u figuron edhe rithemelimi në pronësi publike i Korporatës së Linjitit, në kuadër të së cilës do të përfshiheshin edhe minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese të linjitit, si dhe ndërtimi i dy agregateve gjenerues në prona publike, me kapacitet identik me Kosovën B1 dhe B2.

Për më tepër edhe vazhdimi i operimit të termocentralit “Kosova A” është jashtëzakonisht i dëmshëm, por mbyllja e tij pa ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ishte gjithmonë e paimagjinueshme.

Ndërsa, tash renovimi i termocentralit “Kosova A” dhe jo ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, sipas ekspertëve të Vetëvendosjes është zgjidhja e duhur.

Së pari, në mënyrë krejtësisht të padrejtë gjithmonë i kanë vendosur këto dy projekte të ndryshme në krahasim me njëra-tjetrën. Madje edhe si investime janë teknikisht të pakrahasueshme, sepse për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë bërë dhjetëra studime nga organizata dhe firma me renome botërore, kurse për rigjenerimin e termocentralit “Kosova A” mungojnë këto studime. Por, edhe nëse i bëhet një renovim total termocentralit “Kosova A”, jetëgjatësia e operimit të tij do të ishte maksimum 20 vjet, kurse ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” do të kishte jetëgjatësi operimi minimum 40 vjet.

Siguria e furnizimit me energji elektrike është jetike edhe për vetë sigurinë e shtetit tonë, prandaj ne të gjithë jemi dëshmitarë të një ashpërsimi apo le të themi kushtimisht të një lufte për qasje në resurset energjetike kudo në botë. Nëse Kosova nuk ndërton kapacitete të reja, kjo nënkupton pothuajse varësi totale nga importi, ku furnizuese kryesore do të ishin pikërisht shtetet që po ndërtojnë kapacitete të reja në rajon, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Në një pozitë të tillë, Kosova detyrohet të blejë me çfarëdo çmimi që këto vende duan të na shesin energjinë, duke diktuar kështu edhe zhvillimin tonë ekonomik, nëse nisemi nga premisa se energjia është parakusht për zhvillim ekonomik.

Ishte propaganduar shumë, po ashtu, që ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” do ta rriste edhe çmimin e energjisë, por ajo do të ishte një rritje shumë më e planifikuar dhe më e kontrollueshme se çmimi i importit të energjisë elektrike, i cili vazhdimisht është në rritje.

Për fund, investimet e huaja kanë qenë një prej problemeve kryesore në vitet e fundit dhe për të pasur rritje të prodhimit dhe punësimit ato janë të domosdoshme. Por, duke qenë një shtet i vogël, Republika e Kosovës nuk e ka komoditetin që të bëhet arenë e financuesve apo lobuesve të Haki Abazit, që për interesa të tyre shpërfillin edhe interesin e shtetit dhe qytetarëve tanë.

(Autori është këshilltar politik i presidentit Thaçi. Qëndrimet e shprehura janë personale.)