Latifi për protestën në Zogaj: Injoranca në aksion, kundër ndërtimit të Kishës me flamurin e Skënderbeut dhe UÇK-së
Profesori universitar i Filozofisë, Blerim Latifi reagoi ndaj protestës së sotme kundër ndërtimit të Kishës katolike në fshatin Zogaj të komunës së Vushtrrisë. Ai tha se duhet të jesh shumë injorant e analfabet që të protestosh kundër një tempulli të krishterimit perëndimor me flamurin kuqezi. “Shikoni, pashë besën, injorancën në aksion! Kanë dalë të protestojnë…
Lajme
Profesori universitar i Filozofisë, Blerim Latifi reagoi ndaj protestës së sotme kundër ndërtimit të Kishës katolike në fshatin Zogaj të komunës së Vushtrrisë.
Ai tha se duhet të jesh shumë injorant e analfabet që të protestosh kundër një tempulli të krishterimit perëndimor me flamurin kuqezi.
“Shikoni, pashë besën, injorancën në aksion!
Kanë dalë të protestojnë kundër ndërtimit të kishës katolike në Zogaj të Vushtrrisë, me flamurin e UÇK-së. Me flamurin e UÇK-së, i cili është flamuri kuq e zi, pra flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.
Duhet të jesh shumë injorant e analfabet që të protestosh kundër një tempulli të krishterimit perëndimor duke tundur flamurin e Kastriotit
Këtë vend, që dje shpëtoi nga Serbia, sot do me marrë në qafë budallaku. Si shumë herë të tjera në histori”, shkroi në Facebook, Latifi.
Vendosja e një guri të themelit në Zogaj të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon të ndërtojë një kishë, nxiti diskutime të shumta këtë javë.
Në pushtetin komunal të Vushtrrisë kanë thënë se nuk ka pasur kërkesë për leje për ndërtimin e këtij objekti fetar.
Por, Dom Fran Kola nga Kisha Katolike tha për Radion Evropa e lirë se Dioqeza kishte planifikuar që më 18 gusht të mbahej një meshë për bekimin e truallit në Zogaj si dhe për pagëzimin e disa personave.
Kola, vikar ipeshkvor, shtoi se pagëzimi, megjithatë, u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, “për shkak të ruajtjes së qetësisë dhe paqes në Vushtrri dhe mes popullit shqiptar”.
Kundërshtimet për planin për ndërtimin e kishës u bënë publike përmes një reagimi të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Vushtrri në fund të korrikut, në të cilin thuhej se në zonën ku planifikohet ndërtimi “nuk jeton asnjë besimtar katolik dhe të gjitha fshatrat përreth janë me myslimanë”.
Sipas Kolës, toka është pronë e Dioqezës, me një sipërfaqe prej 11.266 metrash katrorë, e dhuruar nga familja Musa nga Maxhunaj.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri ngriti dyshime se prapa planeve për ndërtimin e kishës fshihen grupe individësh që, sipas tij, janë të njohura për “retorikë përçarëse” dhe “nxitje të urrejtjes ndërfetare”.
Kjo deklaratë la hapësirë për interpretime se i referohej lëvizjeve që bëjnë thirrje për braktisjen e islamit dhe konvertimin në krishterim, përfshirë Lëvizjen e Deçanit dhe Lëvizjen për Rikthim.
Lëvizja për Rikthim kishte mohuar përfshirjen në këtë projekt, por se vetëm kanë shpërndarë, me kërkesë të banorëve, njoftimin për ngjarjen e 17 gushtit.
Të dhënat e Regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 tregojnë se në komunën e Vushtrrrisë 37 qytetarë janë deklaruar katolikë.
Sipas Kolës, duhet të jenë mbi 300 deri në 500 persona në mënyrë që Dioqeza ta shtyjë përpara projektin.