Lansohet projekti AGRO prej 12 milionë dollarësh
Është lansuar sot edhe zyrtarisht projekti i USAID-it për bujqësi, AGRO.

Lajme
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Hope ishin në Lipjan në fermën ‘Agrovizion’ për të shënuar edhe nisjen e këtij projekti.
Bashkë edhe me zyrtarë tjerë ata vizituan këtë fermë, e cila në vitet e fundit ka marrë mbështetje prej rreth mbi 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, e po ashtu është mbështetur në forma të ndryshme edhe nga USAID-i.
Projekti AGRO kap vlerën prej rreth 12 milionë dollarësh dhe pason projektin e mëhershëm të USAID-it për bujqësi, NOA.
Ministri Memli Krasniqi vlerësoi lartë mbështetjen e USAID-it për bujqësi.
Krasniqi shtoi se USAID bashkë edhe me donatorë tjerë ndërkombëtarë kanë kontribut të veçantë në të arriturat në sektorin e bujqësisë. Projekti AGRO, tha ai, dëshmon për një përkushtim dhe sukses të projekteve të mëhershme të USAID në bujqësi, siç ka qenë NOA.
Ndërkaq ambasadorja Jacobson tha se ndjehet e lumtur me sukseset që po shënohen në bujqësi.
Ajo tha se me investimet në bujqësi është zhvilluar ekonomia, është rritur prodhimi dhe konsumatori ka shumë më shumë produkte të freskëta vendore.
Përfaqësues të fermës ‘Agrovizioni’ folën për të arriturat e tyre deri më tani dhe theksuan se pjesë e rritjes së tyre është edhe Ministria e Bujqësisë dhe USAID-i, që kanë dhënë mbështetje financiare dhe profesionale në vazhdimësi.
AGRO do të orientohet në grante për fermerët për kultura të ndryshme, në veçanti në pemishte dhe perimtari. Gjithashtu ky projekt do të ofrojë asistencë teknike për MBPZHR-në, institucione të tjera që merren me bujqësinë dhe për fermerët.