Lançohet iZiSurvey

iZiSurvey, platformë inovative për hulumtime, i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe ndërkombëtarizimit të talentit kosovar në fushën e teknologjisë.

Lajme

09/01/2014 20:23

Që teknologjia është një nga fushat ku Kosova ka potenciale zhvillimi, e tregon edhe ngjarja e djeshme ku në ambientet e Qendrës Inovative të Kosovës (ICK), u lançua iziSurvey, platforma inovative kompjuterike e cila ofron mundësi të krijimit të pyetsorëve dhe kryerjes së sondazheve të opinionit publik nëpërmjet celularve dhe tabletave dixhitale. Synimi i iZiSurvey-t është thjeshtëzimi, ulja e shpenzimeve dhe shmangja sa më e madhe e gabimeve njerëzore në mbjedhjen e të dhënave me anë të sondazheve. Kjo platformë, e cila fillimisht është zhvilluar për të plotësuar nevojat e studentëve dhe pedagogëve e administratës së Kolegjit Universum, synon të bëhet një nga konkurentet kryesore në industrinë miliard dollarëshe të hulumtimeve.

iziSurvey është dëshmi e një bashkëpunimi në mes të akademisë dhe industrisë dhe rezultat i prekshëm i efektit të kthimit të trurit në atdhe. Ajo erdhi si rezultat i bashkëpunimit të dy profesorëve shqiptarë, Ridvan Peshkopia dhe Mërgim Cahani, të cilët pas kthimit të tyre nga SHBA, filluan të ligjëronin në Kolegjin Universum (KU) dhe së bashku me Alejtin Berishën, drejtorin e KU-së, filluan rrugëtimin e krijimit të iZiSurvey. Në ndërkohë, me ta u bashkua edhe Edi Demaj, ndërmarrës dhe menaxher biznesi i cili jeton në Detroit të Miçiganit në SHBA. IziSurvey është pjesë e inkubatorit të ICK-së.

“Qëllimi ynë ishte të zhvillonim një platformë hulumtimi për nevojat tona të brendshme e cila do të përfshinte disa veçori që nuk gjendeshin në treg. “Pas zhvillimit të softuerit nga Phronesis Technologies dhe përdorimit me studentët tanë, kuptuam se kjo platformë kishte potencial të madh për komercializim”, tha Mërgim Cahani, Drejtor Ekzekutiv i iZiSurvey-t. Ai shtoi: “Reagimi i tregut ishte shumë premtues. Pasi e testuam atë me disa kompani dhe universitete vendore e ndërkombëtare dhe pas reagimit të tyre shumë pozitiv, filluam t’i përkushtohemi 100 përqind idesë së krijimit të  iziSurvey-t, i cili, deri tani, ka mbledhur dhe procesuar mbi gjysëm milioni përgjigje nga anketat”.

iZiSurvey është regjistruar njëkohësisht në Kosovë dhe Miçigan, SHBA dhe ndërsa një pjesë e ekipit gjendet në SHBA – nga ku mësohet se edhe është marrë një pjesë e rëndësishme e financimit – pjesa kryesore e zhvilluesve dhe inxhinierëve do të mbesë gjithmonë në Kosovë.

“Qëllimi ynë është të krijojmë vende punë në Kosovë dhe ta rrisim entuziazmin e ndërmarrësve kosovarë se edhe Kosova ka potenciale për të krijuar produkte globale. iziSurvey gjithmonë do të mbesë pjesë dhe do t’i kontribuojë drejtpërsëdrejti zhvillimit të Kosovës. “Besojmë se brenda tre viteve, me iziSurvey-n dhe produktet tjera mbështetëse, do të krijojmë qindra vende pune dhe do të tërheqim investime milionëshe në Kosovë”, deklaroi Alejtin Berisha, njëri nga themeluesit e iZiSurvey.

iZiSurvey është platformë e cila u mundëson hulumtuesve të mbledhin të dhëna në terren përmes telefonave apo tabletave, përmes internetit apo edhe përmes thirrjeve telefonike. Platforma bën procesimin automatik të të dhënave dhe kështu ul ndjeshëm koston e hulumtimit dhe procesimit si dhe gabimet njerëzore që zakonisht ndodhin pashmangshmërisht gjatë këtij procesi shumë delikat. iZiSurvey zotëron disa nga mundësitë më të avancuara të hulumtimit dhe pritet të hyj fuqishëm në tregun botëror të hulumtimeve.