LAN kushtëzon me postin e kryeparlamentarit, ose zgjedhje të reja
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të paligjshëm zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Kuvendit nuk e ka lëkundur koalicionin LDK-AAK-Nisma (LAN).

Lajme
Zyrtarët e saj kanë insistuar se nuk do të heqin dorë nga ky post, qoftë edhe me çmimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, shkruan të hënën e përditshmja Koha Ditore.
Avni Arifi, këshilltar i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ka potencuar se në takimet e zhvilluara pas publikimit të vendimit, tri subjektet politike janë pajtuar që të shkojnë në zgjedhje në rast se vërdikti i Gjykatës e kufizon që kryetari i Kuvendit t’i takojë vetëm Partisë Demokratike.
Ndryshe nga blloku, për Partinë Demokratike ky vendim ka ndryshuar gjithçka dhe ata janë shprehur të gatshëm për një qeveri gjithëpërfshirëse.
Deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, nuk e ka përjashtuar mundësinë që i dominuari për kryetar të Kuvendit të jetë jashtë Partisë Demokratike.
“…Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ka kushtëzuar, përkundrazi udhëhiqemi nga një politikë shumë e arsyeshme e integrimit dhe bashkëpunimit. Krejt këtë e bëjmë me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim të Kohës Ditore.