Lajmi i gëzuar për Gjakovën

Mimoza Kusari Lila thotë se Gjakova, brenda disa javësh, do të shpallet zonë e lirë ekonomike. Ajo takoi pensionistët dhe u premtoi atyre kujdes të shtuar.

Lajme

13/10/2013 13:57

Mimoza Kusari Lila, në kuadër të fushatës së saj për zgjedhjet e 3 nëntorit, ka vizituar Shoqatën e Pensionistëve dhe Sindikatën e Pensionistëve të Komunës së Gjakovës.

Kandidatja për Kryetare të Komunës së Gjakovës ka konstatuar se shkëputja mes dy sistemeve ka lënë probleme të shumta tek pensionistë.

Ajo ka thënë se duhet angazhim për një zhvillim të mirëfilltë me vlera dhe moral të lartë.

“Në programin tonë kemi planifikuar që t’ju krijojmë kushte me të mira për aktivitetin tuaj, për kujdesin shëndetësor, lirimin nga transporti publik, ndarje buxhetore në kuadër të Komunës për Shoqatën tuaj, si dhe krijimin e një fondi për shërim dhe mjekim për pensionistë.”

“Ajo që duhet të na gëzojë të gjithëve është se brenda disa javësh Gjakova do shpallet zonë e lirë ekonomike, si dhe do bëhet transferi i Aeroportit të Gjakovës, mundësi reale këto për zhvillim ekonomik.”

“Fatkeqësisht, këto vite kemi të bëjmë me një strukturë kriminale, me një politizim të skajshëm në të gjitha fushat e jetës, andaj nuk janë vetëm pensionistët ata të cilët kanë mbetur duke shikuar nga e kaluara, por edhe të rinjtë shikojnë nga i njëjti drejtim, pasi që e tashmja nuk ka dhënë shpresë për të ardhmen”, ka thënë Kusari-Lila.

Tutje, ka premtuar se si Kryetare e Komunës së Gjakovës do të angazhohet të sigurojë një objekt të ri për Shoqatën e Pensionistëve, e në kuadër të Komunës do ndahet edhe një buxhet që do sigurojë funksionimin e rregullt të aktivitetit të pensionistëve.