Lajme të këqija nga Brukseli
Prej idesë a Projektit të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht, nuk ka mbetur gjë.
Opinion
Shkruan: Blerim Shala
Nuk mbahet në mend një situatë e kësisoj çfarë sot mbizotëron në Bashkimin Evropian karshi Ballkanit Perëndimor.
Nuk ka qenë kështu as kur mori fund Komunizmi dhe ndarja e Evropës në dy gjysma, as kur njëzet vjet më parë përfundoi lufta në Kosovë.
Përkundrazi.
Si në vitet 1990, 1991, ashtu edhe në atë 1999, (kur u imponua paqja në Kosovë), Brukseli ka qenë kryeqendër e ofertës së madhe politike por edhe qytetëruese për atë Evropën e çliruar dhe për Ballkanin Perëndimor.
Një Evropë e unifikuar, si një shtëpi e përbashkët e të gjitha shteteve dhe popujve të Evropës, ka qenë dhe mbetet sot e kësaj dite Projekti dhe koncepti më i mirë i mundshëm, sepse njëkohësisht është i vetmi që garanton që në Evropë të ketë paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Kështu ka qenë në vitet 1990, 1991 dhe 1999, kështu është edhe sot, në vitin 2019.
Por, qëndrimi, disponimi dhe vullneti në BE, veçmas i shteteve kryesore evropiane, nuk mbërrin sot as tek një e dhjeta e qëndrimit, disponimit dhe vullnetit të atyre viteve më shpresëdhënëse për idenë e Evropës së bashkuar.
Arsyet për këtë gjendje politikisht depresive (me një ekonomi stabile dhe të qëndrueshme), në Bruksel dhe në kryeqendrat më të mëdha të Evropës, janë të shumta. Ato kryesoret kanë të bëjnë me gabimet dhe dështimet që janë ‘prodhim vendor’ i vetë Bashkimit Evropian, i cili ofron privilegje të mëdha dhe të shumta shteteve anëtare të tij, duke mos i ekuilibruar ato me përgjegjësitë e këtyre shteteve për një funksionim më të mirë të BE-së.
Brenda secilit shtet veç e veç (të BE-së), ekziston ekuilibri politik në mes të mandatit, përgjegjësisë, privilegjit. Por jo edhe në BE.
Sidoqoftë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, kanë marrë lajmet më të ftohta dhe më dëshpëruese të mundshme nga Mbledhja e Këshillit të çështjeve të përgjithshme që u mbajt këtë javë në Luksemburg.
Prej idesë a Projektit të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht, nuk ka mbetur gjë.
Formulimet e shumta burokratike të Brukselit, që tani mund të kualifikohen edhe si ‘klasike’, shfaqin një refuzim kategorik të BE-së (për shkak të qëndrimeve të shteteve kryesore të tij), që ta ndryshojnë pozicionin aktual i cili njeh një vendnumërim kur bëhet fjalë për perspektivën evropiane të këtyre gjashtë shteteve.
S’ka dyshim që ka vendnumërim dhe madje edhe prapakthim në rrjedhat politike dhe ekonomike në shumicën prej këtyre gjashtë shteteve. Ka probleme të mëdha me krim të organizuar, në temën e njohur të sundimit të ligjit, me forcimin e demokracisë. Por as në këto tema, dhe as në temat e tjera, nuk mund të pritet që mund të ketë një kërcim kualitativ në këto shtete, nëse elitat politike të tyre, por edhe shoqëritë në përgjithësi, nuk do ta kenë atë kryemotivin dhe kryeshtytjen në trajtë të mundësisë që këto shtete herët a vonë të bëhen shtete anëtare të BE-së.
Me terminologji sportive, këto shtete garojnë në një Ligë të Dytë të Evropës, dhe ato e dinë mirë që nëse duan të bëhen pjesë e Super-Ligës politike evropiane, duhet të kualifikohen si duhet për këtë Ligë.
Megjithatë, në dy vitet e fundit, ka pësuar devalvim kryeparimi i kësaj logjike të kualifikimit të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimorë.
Ky parim kryesor kishte domethënien që përmbushja e kritereve të përgatitura nga vetë Brukseli, do të krijonte rrethanat për përmbushjen e synimeve të këtyre shteteve.
Ta zëmë, në rastin e Kosovës, këtupari, që nga marsi i vitit të kaluar, janë zbatuar të gjitha 95 kriteret që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në Evropë, ndërsa ne jo vetëm që nuk e kemi fituar këtë të drejtë në ndërkohë, por për më shumë, as që e dimë kur do të kemi mundësi të bëhemi qytetarë të lirë evropianë (në këtë segmentin e udhëtimit).
Shembulli tjetër vjen nga Maqedonia Veriore. Në një bashkëpunim të pashoq shumë-etnik në këto anë të Evropës (midis maqedonëve dhe shqiptarëve), dhe me një guxim sërish të pakrahasueshëm për elitat e Shkupit dhe Athinës, u arrit Marrëveshja historike për emrin e këtij shteti.
Por kjo Marrëveshje nuk mjaftoi që Maqedonisë Veriore t’i ofrohet hapja e bisedimeve për hyrje në BE, që parimisht është më shumë një akt simbolik se sa domethënës.
As Shqipëria nuk e mori këtë ofertë nga Brukseli.
Janë këto lajme të këqija nga Brukseli që mund të ndikojnë në ndërlikimin dhe përkeqësimin e mëtejmë të situatës në këto anë të Evropës.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)