Lajm i mirë për pensionistët kontributdhënës: Shtesat deri në fund të muajit
Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, ka pritur sot në takim pune drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi.
Lajme
Në këtë takim u diskutua lidhur me procesin e kategorizimit të pensioneve të pensionistëve kontributdhënës sipas shkallës së edukimit të tyre, transmeton Koha.net. Ministri i njoftoi mysafirët se procesi i kategorizimit është duke shkuar drejt finalizimit, janë duke u përpunuar afër 17,000 aplikime për kategorizim dhe se pritet që pagesa retroaktive për 4 muaj për këto kategori të bëhet deri në fund të këtij muaji.
Gjatë këtij takimi u arrit edhe pajtushmeria për shumën që do të marrin pensionistët kontributdhënës sipas edukimit, propozim që do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Qeverise për aprovim.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi ministrin Abrashi dhe Qeverinë në përgjithësi për hapat e ndërmarrë për implementimin e kategorizimit sipas shkallës së edukimit si dhe për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në përpjekje të përmirësimit të kushteve të pensinonistëve dhe realizimin e drejtave të tyre.