Lajçaku e Escobari përfundojnë takimin me Osmanin, bëjnë bashkë opozitën në zyrën e BE-së
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tashmë kanë nisur një takim me krerët e opozitës. Ata janë drejtuar në Zyrën e BE-së për t’u takuar me kryetarë të partive opozitare. I parë që ka ardhur ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas tij erdhi…

Lajme
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tashmë kanë nisur një takim me krerët e opozitës.
Ata janë drejtuar në Zyrën e BE-së për t’u takuar me kryetarë të partive opozitare.
I parë që ka ardhur ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas tij erdhi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.
Kurse, disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar./Lajmi.net/