Lajçak vjen nesër në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajcak, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor.

Lajme

26/06/2022 12:22

Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Lajçak do të vizitojë edhe komunën e Prizrenit dhe veriun e Kosovës.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Fjalimi për media i EUSR Lajcak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftim.

Vizita e Lajçak vjen pesë ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.