Lajçak nga Brukseli: Kosova prezantoi prioritetet, Serbia nuk mori pjesë në takimin e përbashkët

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur për dështimin e takimit të parë të Komisionit të përbashkët për persona të zhdukur. Lajçak ka njoftuar se është takuar veçmas me të dyja palët, derisa bëri të ditur se Serbia nuk mori pjesë në takimin e përbashkët. “Sot synuam…

Lajme

15/01/2025 16:02

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur për dështimin e takimit të parë të Komisionit të përbashkët për persona të zhdukur. Lajçak ka njoftuar se është takuar veçmas me të dyja palët, derisa bëri të ditur se Serbia nuk mori pjesë në takimin e përbashkët.

“Sot synuam të mbajmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel komisionesh. Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka shkruar Lajçak.

Ndërkohë, kryesuesi i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit, Andin Hoti ka thënë se takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur që ishte planifikuar të mbahej në Bruksel nuk ishte realizuar pasi që Serbia refuzoi të marrë pjesë në këtë takim.

Hoti tha se prania e kryenegocitatorit te Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel orkestroi dhe garantoi dështimin e këtij takimi. Madje, Hoti ka thënë se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrjen në takim përveç që është banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel. Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme”, tha ai.