Labi tregon për aksionet e tij humanitare, nuk e përjashton kandidimin për kryetar komune

Këngëtari Labinot Tahiri, po u del në ndihmë qytetarëve edhe në kohën e pandemisë.

Lajme

21/04/2020 19:42

Komuna e Ferizajt aktualisht është më e prekura me koronavirus në Kosovë. Vetëm nga kjo komunë janë 90 persona të prekur me koronavirus dhe dy prej tyre kanë ndërruar jetë.

Pavarësisht vështirësive që po përballet Kosova dhe kjo komunë, këngëtari Labinot Tahiri, po e tregon shpirtin e tij human edhe në kohën e pandemisë.

Ai thotë se në vazhdimësi është duke dhuruar pako ushqimore për familjet në nevojë edhe gjatë kësaj periudhe.

Në një intervistë për lajmi.net, Tahiri ka thënë se as në këtë kohë nuk po e kanë të vështirë sigurimin e fondeve nga njerëzit shpirtmirë e human, sipas tij, vështirësia më e madhe mund të jetë te personi që merret me bamirësi.

“Së pari është vështirësia në individin shembull në këtë rast me mua ose kushdo që e bën këtë aktivitet për arsye se edhe në kohë shiu ose bore ne nuk ndalemi kurrë ose kurrë s’jemi ndalë. Kjo shkon pak me vullnet ose psiqikisht për me e bë një punë të tillë. Fondet është zor të sigurohen kur nuk ke besim do me thënë njerëzit kur nuk kanë besim te një person, në këtë rast te unë. Por kur kanë besim nuk është e vështirë për arsye se shumë herë e dini kur brenda një dite kemi mbledhur 200-300 mijë euro për rastet me leukemi. Edhe tani në këtë kohë të pandemisë ne kemi bërë një aktivitet shumë të mirë human së bashku me diasporën shqiptare dhe me neve këtu edhe ka shkua gjithçka mirë deri më tani”, është shprehur ai për lajmi.net.

Në këtë intervistë Labinot Tahiri ka bërë të ditur se nuk i ka harruar as shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai thotë për shkak të mbylljes së kufirit, pakot me ushqim dhe mielli që ishte planifikuar do të konvertohen në para do t’i ndihmojnë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me rreth 10 mijë euro.

“Më me vështirësi ka qenë shembull kur këto ditë unë kam pasur dëshirë që të shkojë në Preshevë për të dhuruar 500 pako për familje dhe 5 tonë miell dhe për momentin nuk na lejohet me shkua atje. E tash në vend të saj unë do të dërgojë para prej fondacionit që të gjinden komuna Preshevë, Medvegjëe  Bujanoc, do me thënë për familjet atje. Realisht kam pasur dëshirë vetë të shkoj ti furnizojë familjet”, tregoi ai.

Që në ditën e parë kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi nga bashkatdhetarët që ta ndihmojnë Kosovën me fonde për të menaxhuar sa më mirë pandeminë me COVID-19, Labinot Tahiri ka dhuruar 5 mijë euro.

I pyetur nga lajmi.net, se në mos ky është një sinjal që ai do të jetë pjesë e politikës por Tahiri e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka munduar të qëndrojë duarkryq e të mos e ndihmojë shtetin e tij.

“Më vjen keq nëse ju e ngatërroni këtë me politikën për arsye se veç ta thashë unë se në Preshevë jam duke i dërguar ndoshta 5 mijë apo 10 mijë euro. E kështu që nuk do të thotë që unë do të bëhem deputet i Preshevës ose i Serbisë. Por problemi është se kur të pyetet ose kur të bëhet thirrja në aspektin e shtetit unë jam përgjegjës dhe dhuroj siç kemi dhuruar kur Edi Rama kërkoi për Shqipëri u çuan krejt i madh e i vogël ashtu vlen edhe këtu. Kryeministri është në detyrë e ka bërë një thirrje të tillë, unë nuk mundem me qëndrua duarkryq pa i dhënë para shtetit. Sepse ai fond është për të mirën e qytetarëve është fondacion për menaxhimin e COVID-19”, u shpreh Tahiri për lajmi.net.

Por pavarësisht se mbase nuk do të jetë pjesë e ndonjë subjekti politik, Labinot Tahiri nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të kandidojë për të parin e Ferizajt në të ardhmen.

“Ajo është padyshim që qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë dhe nëse unë do jem nesër kandidat i tillë, pa dyshim do të jem një person që do ta fitojë atë titull prej qytetarëve sepse kisha me e menaxhua më mirë se sa Agim Aliu e shumë të tjerë kryetar që kanë qenë të Ferizajt. Sepse të gjithë banorët e Ferizajt e din që unë bëj shumë punë më të mëdha se sa disa punë që i bën komuna në aspektin në të mirën e qytetarëve”, theksoi Tahiri.

Tahiri në këtë intervistë ka shprehur edhe kritikat e tij në drejtim të udhëheqjes komunale, pasi që sipas tij, i pari i Ferizajt Agim Aliu, por edhe udhëheqësit e tjerë nuk kanë treguar bashkëpunim me të dhe çështjen e bamirësisë e kanë kthyer në çështje politike.

Sipas tij, nuk duhet të ngatërrohet në asnjë mënyrë humanizmi me politikën.

“Unë e kam mendua me e bërë një gjë të tillë, por në fillim kam filluar vetë para një muaji përmes rrjetit tim social dhe kemi kaluar mirë. Por me sa e di unë kjo gjë organizohet përmes komunës e unë përmes komunës nuk organizoj asnjë gjë për arsye se s’jam mirënjohës prej kryetarit dhe gjithë kabinetit. Duke e ditur shembull që kam dërguar 2 mijë maska me kërkesën e tyre në Ferizaj dhe pastaj kur kam shkuar më kanë thënë jo s’kemi nevojë. Kjo ka qenë para një muaji kur s’ka pas as ministria maska dhe ka qenë qyteti im i parë që kam dhuruar dhe kështu që s’kanë qenë mirënjohës. Do me thënë e kanë përzier politikën me humanizëm. Unë s’dua të kem asnjë kontakt rreth kësaj kohe me komunën sepse për mua nuk vlen më shumë politika dhe frika se a po vjen Labi kryetar apo deputet, por vlen më shumë humanizmi ashtu siç e kanë shqiptarët. Por për atë pikë të muzikës mundem edhe vetë me vazhdua kështu përmes rrjetit tim social”, theksoi Tahiri.

Labinot Tahiri po ashtu ka kërkuar nga të gjithë banorët e Komunës së Ferizajt që të jenë sa më të kujdesshëm gjatë kohës së pandemisë me COVID-19 dhe kërkoi nga ata që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, të jenë të durueshëm dhe të tregojnë edhe më shumë kujdes rreth higjienës së tyre.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 598 persona të prekur me koronavirus, 123 të shëruar dhe 18 të vdekur. /Lajmi.net/