“Ky ka thënë se ne jemi bashkëpunëtorë të Serbisë, e tash pret të bashkëpunojmë” – Abdixhiku përfundimisht ia mbylli derën për koalicion Kurtit mbrëmë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mbrëmë u shpreh me tone të forta lidhur me zhvillimet politike në vend, duke përsëritur qëndrimin e palëkundur të partisë së tij për të mos bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai tha se nuk mund të bashkëpunojnë me një parti që “ka izoluar Kosovën” dhe që i…

Lajme

30/05/2025 08:17

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, mbrëmë u shpreh me tone të forta lidhur me zhvillimet politike në vend, duke përsëritur qëndrimin e palëkundur të partisë së tij për të mos bashkëqeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se nuk mund të bashkëpunojnë me një parti që “ka izoluar Kosovën” dhe që i ka quajtur deputetët e LDK-së “bashkëpunëtorë të Serbisë”.

“Kemi dallime në substancë. Nuk bashkëqeverisim me ta. Ky është zotim i yni ndaj elektoratit tonë. Ky kryeministër në detyrë ka thënë se deputetë të LDK-së janë bashkëpunëtorë të Serbisë, e ky pret tash të ulemi e të bashkëpunojmë,” tha Abdixhiku.

Ai komentoi edhe rreth krizës së konstituimit të Kuvendit dhe pamundësisë për të formuar institucione, duke theksuar se asnjëra parti nuk ka shumicën dhe se LDK nuk llogarit në votat e Listës Serbe. “LDK me këtë Listë Serbe nuk bashkëpunon,” u shpreh ai, duke shtuar se asnjë parti nuk i ka votat për të formuar shumicën dhe se “rrugët janë të qarta”.

Lideri i LDK-së ishte i prerë edhe ndaj çdo tentative të mundshme për ndarje brenda partisë. Ai tha se nuk ka folur me deputetët për presionet e mundshme nga LVV, por theksoi: “Rrugën çel e kanë, nëse mendojnë që duhet me tradhtu rrugën e LDK-së, urdhëroni.”

Për sabotimin që sipas tij po i bëhet qeverisjes lokale në Prishtinë, Abdixhiku u shpreh i shqetësuar: “Prishtina është bërë pjesë e një beteje politike nga të gjitha palët. Me të blloku bërllogun, me të çu protesta, me t’i blloku projektet.” Ai vlerësoi punën e kryetarit Përparim Rama, por kritikoi pengesat e vazhdueshme që po i bëhen Komunës.

Ndërkohë, Abdixhiku ritheksoi bojkotin e tij personal ndaj RTK-së, të cilën e quajti “vegël e pushtetit”, duke lejuar zyrtarët e tjerë të partisë të marrin pjesë në intervista: “Unë si lider i LDK-së do ta mbaj bojkotin ndaj televizionit publik si vegël dhe instrument i propagandës.”

Ai pati kritika edhe për shoqërinë civile, duke thënë se nuk është e drejtë të përgjithësohet faji dhe se betejat duhet të bëhen me pushtetin, jo me opozitën: “Nuk janë të gjithë fajtorë. Ai zotëria i ka 48 deputetë edhe thotë ‘nuk kom urgjencë’ – pastaj fajet i ka LDK-ja?”

Në fund, Abdixhiku u shpreh se LDK “nuk bëhet vagon i askujt” dhe se nuk do të përdoret si mjet për interesa të partive të tjera: “Bëhuni të sinqertë, dilni tregoni njerëzve që nuk i keni votat. Moralisht diskutojmë, por praktikisht, LDK nuk bëhet vagon i askujt në Kosovë.”