Ky ish-deputet kishte refuzuar shpenzimet për naftë: Jetoj në Prishtinë, s’ka nevojë të më paguhen

Një listë me emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë marrë qindra euro nga shteti për shpenzime të udhëtimit, ka ngjallur reagime të shumta. Shpenzimin e këtyre parave, disa prej tyre e kanë arsyetuar se “kështu është e paraparë me rregullore”. Por, është një deputet që kishte refuzuar t’i mbulohen këto shpenzime.

Lajme

04/02/2022 08:29

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, në vitin 2015, kishte refuzuar që t’i mbulohen shpenzimet e udhëtimit.

Në deklarimin e pasurisë, adresën e kishte vënë në Ferizaj. Por, meqenëse thotë se nuk e ka ditur se në bazë të këtij deklarimi do t’i bëhej edhe pagesa e shpenzimeve të udhëtimit, ai i ishte drejtuar me një letër Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Përmes kësaj letre, ai kishte informuar se jeton në Prishtinë dhe se s’ka nevojë që t’i mbulohen këto shpenzime.

“Me rastin e plotësimit të formularëve për Deputet, unë kam vënë adresën time në Ferizaj, meqë jam i lindur atje dhe ende zyrtarisht jam banor i Ferizajt dhe jam i propozuar për Deputet nga Ferizaji, duke mos e ditur se Zyra e Financave në bazë të të dhënave të këtij formulari do të bëjë edhe pagesën e shpenzimeve të udhëtimit për Deputet.  Me këtë rast dëshiroj të ju informoj se unë jetoj në Prishtinë dhe nuk ka nevojë të më paguhen shpenzimet e udhëtimit”, thuhej në letrën e Graincës.

Ai kishte kërkuar që t’i zbritet vlera e parave që ishin paguar në muajt paraprak për këtë qëllim.

“Kërkoj nga ju dhe nga zyra e Financave që në muajt në vijim(për çdo muaj), aq sa janë paguar në muajt paraprak të zbritet kjo vlerë deri në rimbursim, gjegjësisht barazimin e kësaj vlere”, thuhej në letrën e Graincës drejtuar Kuvendit.