Ky është zyrtari policor i arrestuar tek “Dheu i Bardhë” nën dyshimin për spiunazh

Zyrtari policor që përfundoi nën pranga sot tek pika kufitare “Dheu i Bardhë” është Boran Jevtiq. Jevtiq u arrestua në cilësinë e zyrtarit policor, derisa prej vitesh punonte në kuadër të departamentit kufitar të Policisë së Kosovës. Jevtiq mbante gradë të lartë në PK, njëkohësisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një prej…

Lajme

17/07/2025 11:06

Zyrtari policor që përfundoi nën pranga sot tek pika kufitare “Dheu i Bardhë” është Boran Jevtiq.

Jevtiq u arrestua në cilësinë e zyrtarit policor, derisa prej vitesh punonte në kuadër të departamentit kufitar të Policisë së Kosovës.

Jevtiq mbante gradë të lartë në PK, njëkohësisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një prej strukturave të policisë në pjesën veriore të Kosovës.

Deri tek arrestimi i tij erdhi pas hetimeve të zgjeruara nga institucionet e sigurisë dhe hetuesisë në Kosovë.

Në operacionin e sotëm morën pjesë Prokuroria Speciale, Inspektorati Policor i Kosovës dhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Pas arrestimit, autoritetet kanë ndërmarrë bastisje në lokacionet e tij personale dhe zyrtare, ku janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe të dhëna të cilat dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e tij të dyshuar kriminal.

Prokuroria ka konfirmuar aksionin e sotëm, por duke mos dhënë detaje shtesë për shkak të zhvillimit të rastit.

“Operacioni është ende në zhvillim dhe për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve, më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim./Lajmi.net/