Ky është Projektligji i ri për Trepçën (Dokument)

15:01 | 5 Tetor 2016

Klan Kosova ka siguruar Projektligjin e ri për “Trepçën” i cili u procedua sot nga Qeveria për në Kuvendin e Kosovës.

Kundër këtij projektligji në mbledhjen e sotme të ekzkeutivit kanë votuar ministrat serbë.

Sipas këtij dokumenti, Qeveria e Kosovës është pronare e 80 për qind të aksioneve të gjigantit metalurgjik “Trepça”, kurse 20 për qind e tyre i takojnë punëtorëve.

Aksionar në 20 për qindëshit të aksioneve nga radhët e punëtorëve në njësinë biznesore mund të jetë vetëm punëtori në marrëdhënie të rregullt pune që është në listën e pagave në njësinë përkatëse biznesore jo më pak se 3 vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Sipas nenit 5, Resurset Minerale janë pronë e Republikës së Kosovës. “Trepça Sh.A. hulumton dhe shfrytëzon resurset minerale në bazë të licencës për hulumtim dhe shfrytëzim të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës”

Po sipas Projektligjit, Bordi Mbikëqyrës i Trepça Sh.A. përbëhet nga nëntë anëtarë të zgjedhur nga aksionarët përpjesëtimisht me pjesëmarrjen në kapital, sipas procedurave që përcaktohen në statut. Ndërkaq, zgjedhja e Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. bëhet sipas procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për Ndërmarrjet Publike në Republikën e Kosovës.

Sipas nenit 9, bazuar në studimin e fizibilitetit dhe arsyeshmërinë ekonomike e financiare, në përbërje të Trepça Sh.A. formohen edhe këto njësi biznesore: Metalurgjia e Plumbit; Metalurgjia e Zinkut; Industria Kimike. Po ashtu, bazuar në studimin e fizibilitetit mund të themelohen edhe njësi të tjera biznesore për përpunimin e metaleve, produkteve dhe shërbimeve të tjera. /Lajmi.net

Klikoni këtu për ta parë projektligjin për Trepçën