Ky është linku për t’u regjistruar për votimin me postë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, afati përfundon më 6 dhjetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është hapur periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Periudha e aplikimit për diasporën do të jetë e hapur për 11 ditë, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor.   Shtetasit e Kosovës…

Lajme

26/11/2025 11:32

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është hapur periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.

Periudha e aplikimit për diasporën do të jetë e hapur për 11 ditë, nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor.

 

Shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes (1) platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë.

Diaspora mund të votojë në tri mënyra.

1. të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;

2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo

3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.

“Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

 

Gjithashtu KQZ ka sqaruar se kjo periudhë e regjistrimit vlenë vetëm për shtetasit që duan të regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, ndërkaq për të votuar në vendvotimin e tyre në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen si votues jashtë vendit.

“Shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar jashtë Kosovës, do të largohen nga Lista Votuese brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën Votuese jashtë Kosovës. Ndërkohë, shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës, ndodhen në Listën e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.

Kurse, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.