Kuvendi thyen barriera administrative – Studentët tani mund të studiojnë në gjashtë vende të rajonit
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për qasje dhe pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Seanca plenare u zhvillua sot, ku ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, prezantoi dobitë e kësaj marrëveshjeje për studentët dhe sistemin arsimor. Sipas ministrit Çeku, marrëveshja…
Lajme
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për qasje dhe pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Seanca plenare u zhvillua sot, ku ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, prezantoi dobitë e kësaj marrëveshjeje për studentët dhe sistemin arsimor.
Sipas ministrit Çeku, marrëveshja lehtëson qasjen dhe pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, duke hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike ndërmjet shteteve pjesëmarrëse. “Qëllimi i marrëveshjes është të sigurojë qasje më të lehtë dhe të barabartë të të diplomuarve nga arsimi i mesëm dhe të studentëve të shteteve palë të marrëveshjes, që dëshirojnë të fillojnë studimet e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë”, tha ai.
Marrëveshja vlen për të gjitha nivelet e arsimit të lartë dhe përfshin institucionet publike të akredituara në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke krijuar mundësi më të mëdha për mobilitet akademik dhe bashkëpunim ndërshtetëror. Ndër përfitimet kryesore janë: rritja e cilësisë së arsimit të lartë, thjeshtimi i procedurave administrative dhe krijimi i mundësive të barabarta për studentët për të studiuar në universitetet e rajonit.
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit arsimor në Ballkanin Perëndimor dhe promovimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet shteteve të rajonit. /Lajmi.net/