Kuvendi rikthehet pas zgjedhjeve

Kuvendi i Kosovës nuk do të mblidhet deri pas zgjedhjeve. Më 7 nëntor është caktuar seanca e radhës. PDK do mundohet që ta fusë në rend të ditës PTK’në. LDK e VV kundërshtojnë.

Lajme

22/10/2013 12:02

Kuvendi i Kosovës, i cili muajin e fundit ka dështuar të mbajë seancat për shkak të mungesës së kuorumit, do të pushojë deri pas përfundimit të  zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur sot që seanca plenare e radhës të mbahet më 7 nëntor.

Pika e rendit të ditës, ndërkaq, duket se do të vazhdojë me debate dhe kundërtshti mes pozitës dhe opozitës.

Adem Grabovci, Shefi i GP të PDK’së, tha se në këtë seancë do të ketë dy pika të rendit të ditës, Raporti i Qeverisë për privatizimin e PTK’së dhe krijimi i Komisionit Hetimor.

“Në fund kemi ardhur në përfundim se për shkak të fushatës, seanca të mbahet pas përfundimit të datës 3, pra i bie që më 7 nëntor të mbahet seanca e radhës.”

“Unë kërkova që dy pika duhet të futen në rend të ditës. Pra, është pika e rendit të ditës e mbetur e papërfunduar, Raporti i Qeverisë së Republikës së Kosovës për privatizimin e 70 % të PTK’së. Ky proces duhet të përfundojë.”

“Po ashtu është një pikë tjetër e rendit të ditës, një kërkesë legjitime e opozitës, formimi i një Komisioni Hetimor, që edhe ne nuk e kundërshtojmë. Ka të drejtë çdokush të ngrisë Komision Hetimor. Edhe ne jemi të interesuar që në të vërtetë të konstatohet, edhe pse ne jemi të bindur se ky proces  ka qenë shumë transparent dhe i ligjshëm.”

Grabovci ka thënë se për këto pika janë pajtuar edhe Shefat tjerë të Grupeve Parlamentare, njësoj siç janë pajtuar edhe me shtyrjen e seancës.

Por, Ismet Beqiri, Shef i GP të LDK’së, menjëherë e ka dematuar Grabovcin, duke thënë se të tjerët nuk janë pajtuar për këto dy pika e as për shtyrjen e seancës.

Ai ka deklaruar se seanca e 7 nëntorit është vazhdim i seancës së kaluar dhe pika e parë e rendit të ditës do të jetë plotësimi i Komisionit Hetimor.

“Nuk qëndron ajo se jemi pajtuar të gjithë që kjo të ndodhë, që seanca të shtyhet për datën 7. Kjo nuk është e vërtetë. Këtu secili duhet të flasë në emër të Grupit  të vet Parlamentar dhe jo për të tjerët.”

“Tentimi për t’u votuar ky Raport është tentim i legalizimit të procesit të shitjes së 75 % të aksioneve të PTK’së, gjegjësisht tentim i legalizimit të një procesi të paligjshëm.”

“Është shumë e qartë, vazhdimi i seancës është vazhdim i seancës. Në atë seancë nuk mund të ketë pikë tjetër siç pretendohet nga ana e PDK’së, do të thotë çështja e Raportit rreth Privatizimit të PTK’së.”

“Në seancën që do të vazhdojë nuk ka mundësi që të ngritët kurrfarë mocioni, sepse është vazhdim i seancës. Kjo punë me dhunë nuk shkon, sepse bëhet fjalë për rregullore. Sigurisht pa u votuar pika e Komisionit nuk mund të ketë pikë shtesë, jo vetëm mbasi të votohet, po fare në atë seancë nuk mund të ketë pikë shtesë.”

“Të tjerët nëse mendojnë që mund ta bëjnë këtë, është dëshirë e tyre, është një dëshirë, një ëndërr e bukur por nuk mund ta bëjnë”, ka deklaruar Ismet Beqiri.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, po ashtu është shprehur se ngritja e mocionit për votimin e Raportit të Qeverisë për Privatizimin e PTK’së nuk mund të ndodhë.

E nëse ndodh, ai paralajmëroi bojkotimin e seancës.

“Së pari kjo nuk mund të ndodhë, sepse është shkelje e procedurave. E dimë që këtë seancë tashmë e kemi nisur. Nuk mundet që në çdo instancë të mbajtjes së seancës dikujt t’i bjerë në mend dhe ta sjellë një mocion për votim.”

“Ne në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që ky vendim të futet si pikë e rendit të ditës në seancë dhe nuk do të pranojmë që të qëndrojmë në sallë kur ai të votohet, nëse votohet.”

E Shefi i GP të AAK’së, Ardian Gjini, ka thënë se ishte ide e tij që të shtyhet seanca.

Ai ka përsëritur se AAK e lëshon seancën vetëm nëse partia në pushtet s’e bën vetë kuorumin.

“Unë sot në mbledhjen e Shefave të Grupeve Parlamentare propozova që ta tejkalojmë datën 3 nëntor, sepse të gjitha këto veprime kanë të bëjnë me zgjedhjet.”

“Ne e kemi parim që të mos e lëshojmë seancën, e kemi mbështetur grupin e 40 deputetëve për Komisionin Hetimor. Mendojmë se duhet të bëhet ai Komision Hetimor, por ne ju kemi treguar partnerëve në pushtet se nuk ua bëjmë kuorumin nëse ata nuk e kanë.”

LDK dhe VV paralajmëruan se do të bojkotojnë seancën nëse partia në pushtet sjell një mocion për futjen në votim të Raportit Qeveritar për shitjen e PTK’së.