Kuvendi i plotësoi vetëm 32 për qind të agjendës legjislative
Nga 140 ligje të parapara për këtë vit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 46, duke plotësuar kështu vetëm 32 për qind të agjendës legjislative. Sipas të dhënave të votaime.org, 24 ligje janë në procedurë, ndërsa 70 në pritje. Fajtori për realizimin e pakët të agjendës legjislative, është i ndryshëm për partitë e koalicionit qeverisës në njërën anë dhe për opozitën në anën tjetër.
Lajme
Opozita konsideron se jo vetëm ky vit, po gjithë mandati po përcillet me probleme, për shkak të qasjes së Qeverisë karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Qeveria e ka shfrytëzuar gjithë potencialin e saj për negociata pa kushte dhe pa parime me Serbinë, gjë që ka ndikuar edhe në punën e Kuvendit të Kosovës.
“Pavarësisht faktit që kjo qeveri është treguar ambicioze në procedimin e projektligjeve, nuk ka arritur t’i sjellë më kohë projektligjet. Por fakti nuk qëndron vetëm tek afatet kohore, por edhe te cilësia e këtyre projektligjeve, sepse jo rrallë po përballemi me probleme të kopjimit të ligjeve nga vende të ndryshme të BE-së dhe pastaj ato po votohen në Kuvend pa iu përshtatur rrethanave të Kosovës”, tha Albulena Haxhiu për Radio Kosovën.
Të dështuar këtë legjislaturë e konsideron edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, duke thënë se edhe opozita është dashur shpeshherë të përdorë metoda joparlamentare por që kanë qenë të domosdoshme për t’i ndaluar vendimet e dëmshme të koalicionit qeverisës.
“Natyrisht se planifikimet që janë bërë në fillim të vitit nuk janë përmbushur as për së afërmi, për shkak se koalicioni është marrë me çështje dytësore e jo me çështje thelbësore domethënë me miratimin e ligjeve funksionale për qytetarët”, tha Zafir Berisha
ër Radio Kosovën.
Por, për partitë në pushtet, është pikërisht opozita ajo që ka bërë që Kuvendi të jetë prapa në arritjen e objektivave. Sadri Ferati i LDK-së, thotë se edhe për rrethana objective, por edhe subjective Kuvendi nuk e ka realizuar planin e vetë.
“Duke ditur rrethanat që e kanë përcjellë vetë Kuvendin, por edhe ato para Kuvendit, Kuvendi ka pasur opengesa të mëdha, prej ndërprerjes së seancave, zhagitjes së seancave, dhunës në Kuvend që ka qenë, mungesa e opozitës nëpër komisione po ashtu e ka vështirësuar punën”, tha Sadri Ferati për Radio Kosovën.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti e vlerëson vitin 2016 si më sfiduesin për Kuvendin e Kosovës që nga themelimi i tij.
“Më sfidues jo pse kemi pasur ndonjë ngjarje sfiduese, por për shkak të mënyrës së sjelljes së pjesëtarëve të Kuvendit. Pra kemi pasur dhunë në Kuvend dhe si pasojë, jo krejt agjenda e Kuvendit ka shkuar normalisht”, tha Pajaziti për Radio Kosovën.
Megjithatë, Pajaziti thotë se në pjesën e dytë të vitit është normalizuar puna në Kuvend dhe është arritur mjaft mirë që të vazhdohet me agjendën normale të punës së Kuvendit.
Përndryshe, sipas faqes Votaime.org, gjatë këtij viti Kuvendi ka mbajtur gjithsej 32 seanca. Kryeministri Isa Mustafa është paraqitur në dy interpelanca, njërën për kodin shtetëror të Kosovës dhe tjetrën situatën në veri. Janë mbajtur disa debate parlamentare, ndër të tjera ai për arrestimin e Policit të Kosovës në Serbi Nehat Thaçi, debat për vlerat e luftës së UÇK-së e së fundmi edhe debati për vdekjen në rrethana të dyshimta të aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.