Kuvendi nesër mban seancë solemne për Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, të martën, në orën 17:00, një seancë solemne me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila shënohet më 14 prill. Rendi i ditës përfshin shënimin e kësaj dite nën moton “Ma kthe dritën”, e cila i kushtohet…

Lajme

13/04/2026 22:10

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, të martën, në orën 17:00, një seancë solemne me rastin e shënimit të Ditës Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila shënohet më 14 prill.

Rendi i ditës përfshin shënimin e kësaj dite nën moton “Ma kthe dritën”, e cila i kushtohet përkujtesës së vuajtjeve dhe sakrificave të të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Kjo ditë synon të nderojë kujtimin e të mbijetuarve dhe të rikujtojë përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës.

Më herët, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, kanë theksuar se kjo ditë, përveç se është e rëndë dhe e dhimbshme, përfaqëson edhe ditë guximi, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe shoqërore, meqë, sipas tyre, e kaluara nuk mund të harrohet.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet e Kosovës, gjatë luftës së fundit janë regjistruar rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe, ndonëse numri i saktë mbetet i papërcaktuar.

Që nga viti 2014, me miratimin e legjislacionit përkatës, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kanë të drejtë të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe të përfitojnë pension mujor.